English

Wolfgang Ischinger: Serbia nuk mund të futet në BE pa zgjidhur problemin me Kosovën

Ish-ndërmjetësi i BE-së në bisedimet shtesë për statusin e Kosovës, ambasadori Wolfgang Ischinger ka deklaruar se Serbia nuk mund dhe nuk do të arrijë anëtarësimin në BE pa zgjidhjen e problemit të saj me Kosovën. Sipas tij, perspektiva e anëtarësimit në BE do të ndihmojë që të arrihet një zgjidhje dhe një marrëveshje, pavarësisht formatit, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Â Ambasadori Ischinger, që ka qëndruar në Prishtinë në kohën kur po vendi po bëhej gati për të kremtuar njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës, tha se udhëheqja politike në Beograd nuk do të ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës deri sa të mos jepet një mendim këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por ai tha se vendimi i Gjykatës së Hagës do t'i lehtësojë Beogradit dhe Kosovës që të fillojnë një process të dalogut dhe të punës në çështjet praktike, proces ky, që sipas tij, do t'i mundësojë dhe inkurajojë pakicën serbe që të pranojë faktin se jeton në një Kosovë e cila ka Kushtetutën e saj.

Â

Cili është vlerësimi juaj në njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës?

- Mendoj se ishte një vit i mirë, me arritje të rëndësishme edhe të brendshme, por edhe të jashtme. Nga pikëpamja ime është mirë të shihet se si po lulëzon puna këtu. Duke hyrë në qytet kam parë rrugë që po ndërtohen, ndërtesa që po ngriten lart, kam takuar edhe një pjesë të udhëheqjes dhe mendoj se e gjithë kjo është e mirë për ndërtimin e vendit.

Në aspektin e jashtëm, Kosova ka ecur në një drejtim të mbarë, me një numër të rëndësishëm të vendeve që e kanë njohur, përfshirë vendet më të rëndësishme sa i përket GDP-së, siç janë SHBA-ja dhe vendet e mëdha të BE-së, pra 60 vende deri tani, pastaj anëtarësimi në FMN dhe në Bankën Botërore, prandaj them se Kosova është në rrugë të drejtë.

Më lejoni që të shtoj edhe pjesën më të rëndësishme, që do të thotë se nuk kemi parë vazhdimin e përplasjeve ndëretnike në Kosovë. Kjo mbase është arritja më e madhe në këtë vit të parë të jetës së Republikës së Kosovës nën Kushtetutën e re. Mendoj se është një rrugë premtuese përpara dhe nuk do të jetë e lehtë. Nuk ishte aspak e lehtë deri tani, por do të vazhdojë të jetë më e ngadalshme se sa do të donin njerëzit këtu, por do të ecë. Kosova mund të llogarisë mbështetjen e atyre vendeve që e kanë përkrahur shpalljen e pavarësisë më shumë se një vit më parë, përfshirë edhe vendin tim (Gjermaninë).

Ne kemi besim se ekziston një udhëheqje e pjekur dhe se do të vazhdojnë përpjekjet për t'iu ofruar pakicave, posaçërisht pakicës serbe. Unë jam i bindur se me kohë, kjo dorë e zgjatur do të pranohet në një mënyrë nga ata që marrin vendime në Beograd. Është çështje kohe dhe unë do të doja të përdor fjalën "durim strategjik". Kosova ka nevojë të punojë shumë dhe të ketë një durim strategjik dhe pastaj gjërat do të bien në vend.

Â

Por Kushtetuta e Kosovës është sfiduar në këtë vit të parë nga serbët e Kosovës dhe Beogradi zyrtar. A mendoni se ka mundësi që ky komunitet të futet nën këtë Kushtetutë?

- Mendoj se kjo do të ndodhë me kohë, natyrisht jo menjëherë. Është e vështirë për udhëheqjen në Beograd që të ndryshojë drejtimin e vet. Ajo nuk do ta ndryshojë atë deri sa të mos jepet një mendim këshillues i Gjykatës në Hagë. Ne nuk e dimë se si do të jetë ai vendim, por më lejoni të them se shpresoj se ajo që do të dalë nga Haga do të jetë një mendim që do t'ia lehtësojë Beogradit dhe Kosovës të fillojnë një proces të dialogut dhe të punës në çështjet praktike, pra të një procesi që do ta mundësojë dhe inkurajojë pakicën serbe që të pranojë faktin se jeton në një vend që quhet Kosovë dhe ka Kushtetutën e Kosovës. Kjo kërkon durim por do të ndodhë.

Â

Por ç'mund të behet me veriun? Beogradi ka ndikim të madh atje kurse Kosova nuk ka arritur të shtrijë Kushtetutën e saj në këtë pjesë. Mos po shohim kështu një lloj ndarje apo copëzim të Kosovës?

- Ka vështirësi dhe ato janë të njohura. Do të ishte befasi sikur këto probleme të zhdukeshin brenda natës. Ato nuk do të zhduken brenda natës, por nëse qeveria e Kosovës vazhdon të mbetet e përkushtuar për të pranuar dhe mbështetur një shoqëri shumëkombëshe do t'i mundësojë komunitetit serb, brenda një kohe, jo vetëm në pjesë të ndryshme ku ata jetojnë, por edhe në veri, që ta pranojnë situatën e re. Jam shumë i bindur se kjo do të zhvillohet brenda një kohe. Nuk mendoj se duhet të ketë zhgënjim për faktin se ka çështje të hapura.

Më lejoni ta them ndryshe: Mund të ishte shumë më keq. Le të jemi të kënaqur që gjërat janë ashtu si janë. Pas shumë vështirësish kemi patur mundësinë që të vendosim misionin e EULEX-it në gjithë Kosovën, me shumë probleme ligjore dhe politike që mori kohë për të filluar punën. Por tani ai ka filluar. NATO-ja sapo ka shprehur besimin në situatën në rajon dhe në stabilitetin e Kosovës duke marrë vendimin për të zvogëluar nivelin e trupave të KFOR-it. Kjo është një shenjë e mirë. Është shenjë se bashkësia ndërkombëtare beson se situata është e qëndrueshme dhe se Kosova është në rrugë të drejtë dhe se gjërat do të vazhdojnë të përmirësohen.

Â

Por si të përmirësohen gjërat mes Kosovës dhe Serbisë? Çfarë mund të bëjnë të dyja palët në këtë situatë?

- Është një fjalë e urtë që thotë se për të vallëzuar tango duhen dy veta. Sa i përket udhëheqjes dhe popullit të Kosovës mendoj se është me rëndësi që përkushtimi për zbatimin e paketës së Ahtisaarit të vazhdojë, të përkrahet fuqishëm dhe të shtyhet përpara. Besoj se koha do të vijë atëherë kur të ndryshojnë erërat në Beograd dhe kur udhëheqësit politikë në Beograd të kenë mundësinë të ndalojnë shkurajimin e serbëve lokalë në veri që të punojnë me autoritetet në Prishtinë.

Ky është një proces i vështirë dhe kërkon kohë. Në diplomaci një nga elementet kryesorë është koha. Disa procese kërkojnë kohë. U deshën 20 vjet për të arritur pavarësinë e Namibisë. Kam punuar në këtë vend gjatë viteve të 70-ta. Nëse nuk do të kishim durim për të pritur dhe punuar Namibia nuk do ta arrinte pavarësinë e saj. Sot ajo është vend i pavarur. Aso kohe udhëheqësit në Afrikën e Jugut nuk deshën ta pranonin ashtu sikurse shumica e udhëheqësve serbë sot. Por unë e di se ka shumë në Beograd që e kuptojnë se ajo që ka filluar tani, një vit më parë, me hyrjen në fuqi të Kushtetutës është një proces që do ta përmirësojë stabilitetin në rajon dhe në një afat të gjatë është në interes të Serbisë. Mendoj se jeni në një rrugë të drejtë.

Â

Më lejoni që t'ju pyes zoti Ischinger, a ka një perspektivë evropiane për të dyja vendet megjithë këto kundërshtime mes tyre?

- Po, ka një perspektivë në parim. Mendoj se është e qartë dhe gjithashtu duhet të bëhet shumë e qartë edhe në Beograd, por edhe këtu në Prishtinë se anëtarësimi në BE mund t'u hapet vetëm atyre që i kanë qartësuar vështirësitë me fqinjët lokalë. Është me rëndësi që njerëzit ta kuptojnë se Serbia nuk mundet dhe nuk do të arrijë anëtarësimin pa zgjidhjen e problemit të saj me Kosovën. Prandaj këto gjëra janë të ndërlidhura. Unë besoj se në këtë kuptim, perspektiva e anëtarësimit në BE do të ndihmojë të arrihet një zgjidhje dhe një marrëvehsje pavarësisht formatit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Mendoj se jemi në një rrugë të mbarë.

BBC

KOMENTE