English

Akademia Marubi denoncon dhunë fizike ndaj stafit të saj

Tiranë, 17 qershor NOA - Akademia Marubi ka denoncuar dhunë fizike sipas saj ndaj stafit gjatë punimeve që një televizion po kryen për ndërtimin e studiove të saj.

Zyra për shtyp e akademisë tha se të martën rreth orës 9.00 të mëngjesit, të pajisur me një ekskavator e mjete të tjera, Top Channel e mbështetur nga policia private Jori Security, pa asnjë leje (ndërtimi apo ambienti) filloi shkatërrimin në mënyrë makabre të pemëve dhe ullinjve shumëvjeçarë në ambientet e Kinostudios, te ndërtesa e laboratorit të filmit, pranë Akademisë Marubi.

Ky veprim është kryer dhe mbështetur në një vendim të Këshillit të Ministrave i cili nuk përkon aspak me situatën reale të ambienteve dhe kufizimeve në terren (Shikoni videon)

Me gjithë protestat e vazhdueshme nga ana e Qëndresës Marubi, që vazhdon për më tepër se 120 ditë, të shtypura disa herë në mënyrë të dhunshme në sytë e policisë së shtetit, vrasja e njëpasnjëshme e pemëve, zhdukja e hapësirave të gjelbra dhe për pasojë betonizimi i shëmtuar, është kthyer në tumorin më agresiv që po përpin çdo qelizë të shëndoshë të qytetarëve shqiptarë.

Për Marubin, Kinostudio është vendi ku historikisht është prodhuar, prodhohet dhe ruhet kujtesa e shqiptarëve si i tillë s'mund të jetë vendi i ndërtimit beton-armesë bashkëkohore.

AFMM thekson se është lindur në këtë territor si një vazhdimësi për të vazhduar këtë mision edhe artistikisht, prandaj ka të drejtë dhe nevojë ta ruajë ambientin e plotë të saj të mësimit dhe prodhimit.

Të nxitur nga këto ngjarje "kundër mjedisit e vlerave të tij, pasi vumë në dijeni Këshillin e Ministrave, Bashkinë e Tiranës, Inspektoratin e ndërtimit, Policinë Bashkiake, dhe nuk morëm asnjë përgjigje, siç nuk kemi marrë përgjatë të 120 ditëve (përveç dhunës së policisë së shtetit, dhe private) qytetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, universiteteve pjesëtarë të Concorciumit Universitar Shqiptarë, dhe pronarëve legjitim të tokës, përfaqësuar nga familja Hysa, do të organizojnë një protestë sot (e Mërkurë), ora 10.00, para Bashkisë së Tiranës.

a.k/NOA

KOMENTE