English

Basha: BE inkurajoi Shqipërinë për progresin, premtoi liberalizimin e vizave

Tiranë, 16, qershor, NOA - Deklarata e fundit e ministrave të Bashkimit Evropian rikonfirmon faktin se Shqipëria po ecën me shpejtësi drejt projektit madhor të qeverisë Berisha për heqjen e vizave brenda vitit të ardhshëm.

Një fakt të tillë e ka deklaruar ministri i Jashtëm, Lulëzim Basha, i cili ka dalë sot në një konferencë për shtyp, për të komentuar rezultatet e takimit që u zhvillua dje në Luksemburg, ku ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së morën në shqyrtim nivelin e ecurisë së reformave të Ballkanit Perëndimor.

"Për ata që mezi presin rënien e murit të fundit që i ndan me evropianët, është një ëndërr e cila po realizohet plotësisht", komentoi kreu i diplomacisë shqiptare.

Nga ana tjetër, Basha bëri të qartë se deklarata e ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së bën të qartë progresin e arritur nga të gjitha vendet tona dhe hedh poshtë çdo spekulim.

"Por kuptohet se përmbushja e reformave shihet si nevojë për të gjitha vendet e Ballkanit", tha ndër të tjera ai, duke pranuar edhe rezervat që ende përfaqësuesit e Bashkimit evropian mund të kenë për reformat në zonën e Ballkanit.

"Lajmi i mirë për vendin tonë është se progresi i bërë nga Shqipëria brenda një kohe të shkurtër është mjaft inkurajues. Heqja e vizave është një çështje që u intereson të gjithë shqiptarëve, pavarësisht bindjeve të tyre politike dhe të gjitha spekulimet rreth saj, kanë për ta marrë përgjigjen shumë shpejt", tha më pas Basha, duke përmendur në konferencë edhe emrin e kryesocialistit Edi Rama, si keqdashës i procesit në fjalë.

n.e/NOA

KOMENTE