Manzë, 16 qershor NOA - Kryeministri, Sali Berisha zhvilloi sot një takim me banorë të Manzë, kur premtoi pension të lartë për minatorët.
"Kam ardhur sot këtu tu jap fjalën ish minatorëve të kësaj qyteze se do të shkurtojmë me 5 vite moshën e pensionit të tyre dhe kjo do të ketë efekt prapaveprues, për pensionet. Së dyti,kërkoj mirëkuptimin e minatorëve të Manzës dhe të mbarë Shqipërisë se të besojnë tek Sali Berisha për rritjen e pensioneve te tyre".
"Unë ju jap fjalën atyre, - vijoi Kryeministri, - se do të jem avokat kryesor i pensioneve të larta të tyre, por kërkoj mirëkuptimin e tyre se reforma e pensioneve na lejon ti vendosim pensionet e minatorëve aty ku duam, por nuk na lejon të përcaktojmë statuse, sepse edhe në rast se e përcaktojmë sot, do të detyrohemi ti heqim nesër, se reforma e re e pensioneve nuk lejon statuse", - tha Berisha.
Kryeministri shtoi se do të rindërtojë të gjitha rrugët, rrugicat e kësaj bashkie, të gjitha rezervuarët dhe kanalet vaditëse të këtij territori.
"Socialistë të Manzës me Edi Ramën jeni me kilometra larg. Edi Rama nuk pranon të vendosë emrin në krye tuajën, ai nisi në betejë ushtarët pa komandë, sepse ka frikë. Ai do që ju të humbisni kurse veten ta shohë në breg, duke thënë se unë nuk isha në listë apo në krye të saj".
"Mos e votoni atë vëllezër, sepse morali është moral, mos mendoni ju se ne, kundërshtarin e shohim si armik, absolutisht jo, përkundrazi, pa opozitë nuk ka demokraci, por kurrë ndonjëherë ndonjë lider i opozitës nuk ka bërë këtë që beri Edi Rama në këto zgjedhje" tha më tej Berisha.
k.k/NOA