English

Berisha: Plani ynë për të hequr korrupsionin në shëndetësi

Durrës, 16 qershor NOA - Kryeministri Sali Berisha inauguroi sot maternitetin e ri, pjesë e kompleksit spitalor të Durrësit, ku gjeti rastin të premtojë se në mandatin e dytë, nëse e fiton, pagat e mjekëve, infermierëve dhe laborantëve do të kalojnë ato të kolegëve të tyre të 6 vendeve të BE-së.

Me një investim prej 11 milionë dollarë është realizuar jo vetëm ndërtimi i ambienteve të brendshme të standardeve moderne, por edhe kompletimin e tij me pajisje mjekësore dhe aparatura bashkëkohore për diagnostikim dhe trajtim, në standarde evropiane.

Berisha tha se kjo qendër së bashku me spitalin e ri krijon në Durrës bazën e fuqishme të një qendre të madhe universitare.

Në takimin me mjekët dhe infermierët, Kryeministri tha se i ka kërkuar ministres së Shëndetësisë dhe Institutit të Sigurimeve Shëndetësore që "në asnjë rrethanë në ekran nuk mund të na shfaqet qëndrimi i shkuar ndaj infermierëve".

Sipas Berishës, "ko politikë që kemi ndjekur në këto katër vite do të vazhdojë edhe ndaj laborantëve, pasi mjeku punon në ekip. Asgjë nuk ia cenon më shumë suksesin atij, sesa defektet e ekipit".

"Ndaj do të vazhdojmë t'ua rrisim pagat, ashtu siç kemi bërë deri më sot, sigurisht në proporcion. Së treti, kemi vendosur një mekanizëm të ri financimi. Dje, Instituti informoi se një pjesë e të ardhurave do t'u lejohet t'i përdorin për shpërblime, për rritje, për investime," u shpreh Kryeministri.

Berisha siguroi se lufta kundër korrupsionit në shëndetësi do të thellohet përmes reformave të gjithanshme dhe procedurave transparente në shërbimin ndaj qytetarit.

"Në shëndetësi ka korrupsion, nuk mohohet, por, në mënyrë absolute, nuk mund të mohohen lumenjtë e djersës. Mjekësia është profesion me sakrifica, të mjekëve, infermierëve dhe laborantëve. Korrupsioni luftohet në të gjitha praktikat me reforma. Ne do të përcaktojmë procedura transparente, në të gjitha kontaktet e qytetarit me shëndetësinë. Nëse ju kujtohet katër vite më parë, panairi i korrupsionit me pranimet në universitete, sot nuk ai u zhduk, nuk e kemi më".

v.m/NOA

KOMENTE