English

Dekalogu i trafikantit Auron Tare

Nga Prof. As. Dr. Ylli Cerova

Drejtor i Parkut Kombëtar Butrint

Kohët e fundit një koleg më njoftoi se është shkatërruar mozaiku paleokristian i Teqesë së Melanit.

Personalisht kam qenë në dijeni nga kolegët e departamentit të Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës të Institutit të Arkeologjisë për vlerat arkeologjike dhe historike që paraqet kjo qendër historike.

Jam në dijeni gjithashtu se një ekip arkeologësh po përgatit një projekt shkencor për këtë qendër të Trashëgimisë Kulturore Shqiptare.

Por që të zbatohet një projekt shkencor në fushën e arkeologjisë është e detyrueshme që ky t'i prezantohet më parë Departamentit përkatës të Institutit, këshillit shkencor të Institutit të Arkeologjisë dhe më tej Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë.

Deri më sot kjo praktikë shkencore e detyrueshme për të marr lejen e gërmimit shkencor për vendbanimin e Melanit nuk është kryer nga asnjë ekip arkeologësh.

Por faktikisht monumenti i Teqesë së Melanit është gërmuar vitin e kaluar dhe mozaiku i tij me vlera të mëdha historike dhe artistike që i përket shekullit të VI është shkatërruar plotësisht.

Mbas interesimit tim mësoj se gërmimi arkeologjik është realizuar nga një grup studentësh të huaj nën drejtimin e "studiuesit" Auron Tare.

Si është e mundur që ky person që nuk zotëron një diplomë të arsimit të lartë në fushat përkatëse merr guximin dhe kryen në mënyrë klandestine gërmime arkeologjike në monumente me rendësi kombëtare? Si është e mundur që ky person ka realizuar gërmimin arkeologjik duke angazhuar studentë të huaj kryesisht amerikanë?

Jeni të lutur të shikoni faksimilen e një tjetër projekti në fushën e konservimit të monumenteve që ky person në bashkëpunim me Artan Shkrelin, Artan Lamen dhe Luan Sejdinin donin të realizonin në qytetin e Gjirokastrës.

Këtu "studiuesi" Tare mashtron hapur opinionin kombëtar dhe ndërkombëtar në lidhje me këtë staf.

Konkretisht sipas tij z. Luan Sejdini është drejtor i monumenteve për rajonin dhe drejtori i ri i zyrës së UNESCO-s për Gjirokastrën. Por në fakt asnjëri prej tyre nuk ka lidhje me fushën e restaurimit të monumenteve.

E vetmja gjë që Tare kërkon është të mashtroj studentët e huaj duke patur qëllim në vetvete të përfitoj sa më shumë dollarë prej tyre pavarësisht se çfarë ndodh me trashëgiminë kulturore shqiptare. Pra lakmia për të fituar para në rrugë të pandershme e shtyn këtë "studiues" të shkatërroj monumentet e kulturës shqiptare. Por nuk është vetëm kjo.

Lakmia për para në rrugë të pandershme e shtyn Taren të bëj rolin e agjencisë turistike duke mos pasur asnjë liçensë përkatëse. Ky person paraqitet shpesh në dyert e qytetit antik të Butrintit me grupe turistësh të huaj.

Pra, deri më sot Tare vepron në të zezë ose në ndonjë rast përdor dhe liçencat e agjencive të tjera turistike. Besoj se është normale që institucionet e specializuara të monitorojnë veprimtarinë e personave që veprojnë në të zezë në fushën e turizmit të cilët u hynë në hak agjensive turistike të liçensuara.

Lakmia për para në rrugë të pandershme e shtyn Taren të përvetësoj dhuratat që shoqata "CISP" i ka dorëzuar Parkut Kombëtar Butrint, 2 varka sanall, 2 motorë për skaf të makës TUASU dhe 10 dylbi. Dokumentacioni përkatës nuk është dorëzuar nga z. Tare në sektorin e financës dhe nuk rezulton i regjistruar në kontabilitet. Këto mjete mungojnë në Parkun Kombëtar Butrint.

Që nga 01.11.2005 Parku i Butrintit nuk ka në dispozicion një makinë që është blerë me fondet e Parkut me vlerë 1950000 lekë.

Kapo Rraku, kryetari i komisionit të inventarizimit (ish financier i Parkut) ka kontaktuar me z. Tare dhe nga ky i fundit është dorëzuar një automjet tip "CORSICA" me targë TR. 23-45 (targë jeshile), ngjyrë e bardhë.

Grupi i auditimit i Ministrisë konstatoi se ky ishte një mashtrim, mbasi me fondet e Parkut është blerë nga vëllezërit Balili një "Jeep 4x4". Në zyrë nuk ka asnjë dokument në lidhje me dosjen e makinës. Për këtë problem deri më sot nuk kemi asnjë zgjidhje.

Tare në momentin e largimit nga puna ka marrë dhe kompjuterin që ka përdorur i cili përbën njëkohësisht dhe arkivin elektronik të Parkut. Ky arkiv deri më sot nuk i është kthyer Butrintit.

Fondacioni "Butrinti" i ka dhuruar Parkut dhe një makineri të rëndë tip Skrep për gërmim dhe ngarkim në projektet arkeologjike. Kjo makinë është çdoganuar nga Instituti i Arkeologjisë në Durrës dhe i është dhënë z. Tare por nuk është regjistruar në kontabilitet. I gjithë stafi i Parkut është në dijeni të këtij fakti. Me largimin nga puna z. Tare këtë mjet e ka parkuar tek pika e karburantit që thirret Islamajt, në Gjashtë.

Dëshiroj t'ju paraqes të ardhurat e Parkut Kombëtar Butrint të përfituara nga shitja e biletave për periudhën 2003-2008. Ju theksoj se çmimet e biletave gjatë kësaj periudhe nuk kanë ndryshuar.

Gjatë vitit 2006 të ardhurat e Parkut u rritën rreth 45% më shumë se në vitin 2005, gjatë vitit 2007 rreth 60% më shumë se viti 2005 dhe gjatë vitit 2008 rreth 71% më shumë se viti 2005.

Unë shtroj pyetjen ku kanë shkuar të paktën 60 milion lekë gjatë periudhës 2003-2005 kur Parku ka njohur vetëm humbje financiare dhe a mund të flitet për një menaxhim të mirë të Parkut Kombëtar Butrint.

Shënim: NOA jep hapësirë për replikë nga palët e prekura në shkrimin e autorit

KOMENTE