English

Obama: Dhuna paszgjedhore në Iran, shqetësuese dhe e patolerueshme

Uashington, 16 qershor, NOA - Dhuna që ka shpërthyer në Iran pas zgjedhjeve presidenciale, veçanërisht fakti i vrasjes së një protestuesi në tubimin kundër qeverisë, ka krijuar mjaft shqetësim në Shtëpinë e Bardhë.

Një fakt të tillë e pohoi vetë presidenti Barak Obama, i cili në një konferencë me gazetarët u shpreh se do të ishte e gabuar të mos ngrihej zëri për dhunën pas zgjedhjeve dhe parregullsitë gjatë votimeve presidenciale.

Ai tha se i takon popullit të Iranit që të përcaktojë të ardhmen e vendit. "Mendoj se do të ishte gabim që mos flisja për atë që kemi parë në ekranet e televizionit gjatë ditëve të fundit", u shpreh ai.

Duke shtuar se populli i Iranit duhet ta dijë se vota e tij është respektuar dhe se duhet të bëhet një hetim për akuzat për manipulime, por duke i dhënë fund gjakderdhjes.

"Mendoj se procesi demokratik, liria e shprehjes, aftësia e njerëzve për të shprehur kundërshtimin e tyre paqësisht, të gjitha këto janë vlera universale dhe duhet të respektohen".

Çështjen e zbardhjes së të vërtetës për zgjedhjet në Iran, e vështirëson shumë edhe fakti që nuk kishte vëzhgues ndërkombëtarë, kështu që askush nuk mund ta thotë me siguri se çfarë ndodhi.

Presidenti Obama përmendi konkretisht nevojën për të mos lejuar Iranin që të zhvillojë armë bërthamore dhe frenimin e mbështetjes së tij për terroristët jashtë vendit. Ai i quajti këto interesa kombëtare jo vetëm të Shteteve të Bashkuara por edhe të botës.

n.e/NOA

KOMENTE