Nga Arbër Ahmeti
Sistemin e plotësimit të rradhëve dhe mobilizimin Lidhja e ngriti në një shkallë më të lartë, të bazuar në kriteret zakonore krahinore dhe mbarëkombëtare, pa harruar të servirej me metodat e përdorura në vendet e tjera. Lidhja vendosi kritere normative dhe rregulluse ("Kanuni i Lidhjes"-1 korrik 1878), duke krijuar një varg organesh për këtë qëllim (Komiteti i Lidhjes, Komiteti i Luftës apo siq quhet ndryshe Komiteti i Mbrojtjes.
Mobilizimi shtrihej në popullsinë e Shqipërisë pa përjashtime. Hapi i parë i Lidhjes në këtë drejtim ishte regjistrimi i popullsisë, qëllimi i të cilit ishte që të dihej saktësisht numri i njerëzve të aftë për të mbajtur armë.
Dëshmi janë raportet e konsullit austro-hungarez Lippih i cili nga Shkodra i raportonte më 20 korrik 1878 qeverisë së tij se komitetet e Lidhjes Shqiptare ne sanxhaqe, siç citonte ai, "po punojnë me zell për regjistrimin e të gjithë burrave prej moshës 15-70 vjeç, pjesërisht për ti inkuadruar në milicinë efektive, pjesërisht për ushtrinë e saj rezervë".
Dëshmi tjetër për këtë është edhe një dokument tjetër i nxjerrë nga Lidhja i cili nëpër dokumente gjendet me emrin Talimat ( rregullore, udhëzim, instruksion, Dekretligj), i cili ne Nenin III shprehet: "Çdo rreth (kaza) do ti marrë masat një orë e më parë dhe do ta hetoj numrin e njerëzve që janë të aftë ti përdorin armët, dhe ‘ti dërgojnë si ushtarë të rregullt, atje ku ta lyp nevoja, sipas urdhrit të kshillit qëndror (K. A. Dako, Liga e Prizrenit, Bukuresht, 1922. A. K. Fondi L. P. fot. Nr. 1)".
 Lidhur me këtë përcaktohet me rregullore se kushdo që të jetë dhe pa marrë parasysh cilit besim e krahinë i takon, detyrohej ti përgjigjej në kohë thirrjes së atdheut. Rregull shumë e përdorur e mobilizimit ishte "një luftëtar për shtëpi", mirëpo në raste të jashtëzakonshme në krahina kufitare, numri arriti edhe në "tre burra për shtëpi" e madje edhe gjithë burrat e aftë për të mbajtur armë, siç ndodhi në Malsinë e Madhe.
Sipas regjistrimit që bëri Lidhja, në gjitha viset ky plotësim përfshinte rreth 260'000 veta, që ishte baraz me 15-16% të popullsisë.
Vilajeti i Kosovës me Shkupin, Manastirin dhe rrethet nxirrte rreth 130'000 luftëtarë. Vilajeti i Janinës përfshirë Beratin, Prevezën, Artën, së bashku me rrethet e tyre arrinin shifren 70'000 luftëtarë.
Shkodra me Shqipërinë e mesme deri në Ohër do të jepte deri 60'000 luftëtarë(Gazeta Ushtria). Ndërsa prof. dr. Kristo Frashëri kur përmend dispozitata e Talimatit(Urdhërsë/17 qershor 1878) në të cilat Kuvendi i përgjithshëm synon të ngrijë në këmbë ‘një ushtri të rregullt të disiplinuar dhe të ndërgjegjshme' citon: "Forcat ushtarake të Lidhjes do të përbëheshin nga ushtarë të mobilizuar, të cilët do të qëndronin në frontin e luftës, dhe nga ushtarë rezervë , të cilët do të rrinin në gatishmëri pranë shtëpive të tyre. Si bazë territoriale për ushtrinë do të shërbente sanxhaku, kurse nga pikëpamja operative, të gjitha repartet do të vareshin nga komiteti qendror. Kuadrot ushtarake do të caktoheshin nga instancat eprore, por do të miratoheshin nga popullsia e bazës territoriale të repartit (nenet 2-15)"
Sipas "Talimatit" njësia bazë ishte kompania prej 100 vetash me në krye një Kapiten. Do të kishte kompani këmbësorësh dhe kalorësish, të inkuadruar në batalione prej 500 vetash me në krye një Major. Disa batalione do formonin një regjiment (brigadë) me 2'000-2'500 luftëtarë të komanduar nga një Kolonel, ndërsa dy regjimente me rreth 5'000 ushtarë do krijonin një divizion të komanduar nga një Gjeneral(Kapedan). Njësia më e lartë do të ishte korparmata që do mbulonte një front luftarak, e cila do përbëhej nga një numër i caktuar divizionesh sipas rëndësisë së frontit.
Përshkrim edhe më të plotë të organizimit ushtarak të Lidhjes Shqiptare na jep Xhafer Belegu ne verpën e tij kur citon dokumentet e botuara ne "Liga e Przrenit" të Kristo Dakos publikuar me 1922 në Bukuresht. Në pikën e 19 ku flitet pikërisht për organizimin ushtarak thuhet: 19) Në çdo vend ushtria do të ndahet në kompani; çdo kompani do të ketë 100 burra e do të komadohet prej nji kapedani, nji nëntogeri 5 aspirantëve, 10 rreshterëve dhe nji llogaritari. Nji batalion formohet prej 4 kompanive këmbësorësh dhe nji kompanie kalorësish nën urdhërin e nji majori. Do të ketë nji imam, nji sekretar dhe në rasë nevoje dhe nji flamurtar. Nji batalion do të ketë 500 vetë, 4 batalionë do të komandohen prej nji kolloneli, e nji nënkoloneli me nji sekretar. Për çdo dy regjimente do të ketë nji gjeneral brigade. . . ( Xhafer Belegu- Lidhja e Prizrenit, fq. 38/ Tiranë 1939) Mobilizimi u planifikua dhe u krye në periudha kohe të shkurtëra nga një deri dy javë, e në raste të jashtzakonshme edhe brenda 3-5 ditësh, siç është rasti i mbrojtjes së Hotit dhe Grudës (prill 1880).