English

Berisha në Qytetin Studenti, kujton shembjen e diktaturës

Tiranë, 17 qershor NOA - Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje në mbrëmje një takim me të rinj e studentë, në Qytetin Studenti ku u ndal gjatë në fillimvitet '90 kur u shemb diktatura komuniste.

Berisha u premtoi të rinjve se "do të bëjmë gjithçka që ju të fluturoni si zogj të lirë, pa viza, në mbarë Evropën dhe së bashku me ju, vendi juaj të marrë fytyrën tuaj, që ju të jeni imazhi evropian i Shqipërisë".

Gjatë mitingut, Berisha u kujtoi të pranishmëve faktin se "19 vjet më parë, ju mbushët këtë shesh me thirrjen "e duam Shqipërinë si gjithë Evropa", 19 vjet më parë, shoqëria shqiptare përjetonte mungesën e plotë të lirive, përjetonte pasojat e tmerrshme të izolimit më të thellë, përjetonte mjerimin skllavërues".

"Por në mendjen dhe zemrën e të rinjve shqiptarë, - vijoi Berisha, - ideali evropian, ideali i Shqipërisë evropiane, ishte ideali i parë i tyre. Ndaj dhe ata mbushën këtë shesh, rrugët dhe sheshet e Tiranë me kushtrimin "e duam Shqipërinë si gjithë Evropa".

Më tej Berisha kujtoi Azem Hajdarin, kur tha se19 vjet më parë në këtë shesh, një student u ngrit dhe u vendos në "zenitin" e lirisë së shqiptarëve.

"Ai shoqërohej nga një grup studentësh dhe studentesh trima. Ai është tribuni i lirisë së shqiptarëve, Azem Hajdari. Takimi im i parë në jetën time me të, ka ndodhur në rrugën e Elbasanit që të çon drejt sheshit. Ky student trim ngrihej mbi supet e shokëve të tij, duke brohoritur "E duam Shqipërinë si gjithë Evropa", - theksoi kryetari i PD, që në fillesat e saj e drejtonte i ndjeri Hajdari.

Berisha bëri një ftesë publike që "më 28 qershor le të rikthejmë fitoren e marsit të vitit 1992, ftoj rininë e mbarë Shqipërisë, ftoj të gjithë studentët shqiptarë, që në datën 26 qershor të mblidhemi të gjithë për të kënduar këngën e fitores që meritojmë".

a.k/NOA

KOMENTE