Tiranë, 17 qershor, NOA - Gjykata e Shkallës së parë e Tiranës ka rihedhur sot shortin për gjyqtarët e ri që do gjykojnë dosjen e Gërdecit.
Ishte caktuar më parë që kjo dosje të gjykohej nga një tjetër trup gjykues, pas dhënies së dorëheqjes për konflikt interesi, të paraqitur nga gjyqtari Kreshnik Omari.
Shorti i hedhur për herë të dytë në Gjykatën e shkallës së parë të Tiranës përcaktoi gjyqtarin Ridvan Hado si kryetar i trupit gjykues që do të gjykojë të pandehurit, i cili do të përbëhet edhe nga gjyqtarët Shefkie Demiraj dhe Fehim Petku. Dosja me 28 të pandehur si përgjegjës për tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec, mes tyre ish-kreu i MEICO-s, Ylli Pinari, administratori i "Alba Demil", Mihal Delijorgji, si dhe disa ish-ushtarakë të lartë të ushtrisë shqiptare, mbërriti në gjykatën e Tiranës pak ditë më parë.
Kjo pasi Gjykata e Lartë, vendosi veçimin e kësaj dosjes duke mbajtur për gjykim vetëm ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ndërsa të pandehurit e tjerë ia kaloi për kompetencë gjykatës së Tiranës.
n.e/NOA