English

Edi Rama në Burrel, fshikullon kryeministrin Berisha

Burrel, 17 qershor NOA - Burreli ka qenë qyteti i radhës ku kryetari i Partisë Socialiste është ndalur. Edi Rama ka qenë dëshmitar i varfërisë, papunësisë e për rrjedhojë dhe analfabetizmit ku është zhytur veriu i vendit.

Rama ka qenë në familjen e varfër Gjoka që shihni dhe në foto, ku mjerimi është ulur këmbëkryq e për shkak të këtij mjerimi, fëmijët nuk shkojnë dot në shkollë pasi prindërit e tyre nuk kanë para për t'u blerë librat.

"I kemi fëmijët pa shkollë për arsye se nuk kishim mundësi me i ble librat, merreshim librat te fëmijët që bënin mësim me ta. Katër fëmijë i kemi analfabetë. Njëri prej fëmijëve është 17-vjeç dhe është pa shkollë fare", - pohon kryefamiljari.

Rama ka zgjedhur prek çështjen e analfabetizmit në takimin elektoral të zhvilluar në qendër të Burrelit, si një përgjigje për qindra e mijëra familje që nuk çojnë dot fëmijët në shkollë.

"Ndërkohë që ne flasim për papunësinë e skajshme të Veriut të vendit, ndërkohë që ne flasim për mungesën e librave dhe të shkollave, për fëmijët e Veriut të Shqipërisë, ku analfabetizmi po bën kërdinë çdo vit, ai zotëri bashkë me Sali Berishën, e morën vesh vetëm dy javë më parë, se librat e shkollës shiteshin dhe nuk faleshin për fëmijët e varfër. Dhe pse e morën vesh? E morën vesh sepse erdhi fushata elektorale! Ndërkohë që një vit rresht u kemi kërkuar që t'ia u japin falas librat fëmijëve dhe një vit rresht thoshin se gënjen opozita", - theksoi Rama, duke shtruar pyetjen: "Këta do votoni ju?!"

***

Ndërkohë para mijëra qytetarëve të Burrelit Rama tha se ai nuk bënte premtime në këtë fushatë por merrte angazhime para gjithë shqiptarëve për të realizuar transformimin e madh që i duhet vendi, i cili mund të vijë vetëm me punë.

"Ne angazhohemi për një politikë të re që do të rimëkëmbë arsimin, ku librat e shkollës do t'i japim falas për çdo fëmijë të varfër. Duke iu thënë të gjithëve që mes së shkuarës dhe të ardhmes, të zgjedhim të ardhmen, se ndryshimi që na duhet, është një ndryshim i madh, se transformimi që duam t'i japim Shqipërisë, është një transformim kolosal", - tha Rama.

Sipas tij, "për të gjitha këto, vota më 28 qershor ka një vlerë të jashtëzakonshme për të realizuar programin që shkruam së bashku në dialogun me Shqipërinë dhe për të ndërtuar së bashku me punë, punë, punë, Shqipërinë si gjithë Europa".

e.l/NOA

KOMENTE