Tiranë, 17 qershor NOA - Ndalesa e radhës për kryetarin e partisë "Lëvizja e Legalitetit" Ekrem Spahiu, ishte qytetit i Laçit ku ai prezantoi kandidatët e listës shumë-emërore të PLL-së që do konkurrojnë në zgjedhjet e 28 Qershorit për qarkun Lezhë.
Spahiu shpalli se në planet e PLL është rritja e autoritetit të shtetit dhe çdo përfaqësuesi të tij, kufizimi i gjakmarrjes, çarmatosja e popullsisë dhe ngritja e xhandarmërisë.
Duke shpalosur programin e PLL Spahiu tha se gjatë mandatit të ardhshëm parlamentar Legaliteti do të luftojë për ndarjen faktike të tre pushteteve, (legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor) dhe do të sigurojë kushtet që ato të punojnë në harmoni të plotë me njëri-tjetrin.
Po ashtu, Legaliteti, - tha Spahiu, - do të iniciojë një ligj për papajtueshmërinë e funksionit të deputetit me atë të ministrit që ka si qëllim rritjen e rolit të Parlamentit si bartës i sovranitetit të popullit.
Më tej, Spahiu evidentoi vlerat e kandidatëve të PLL dhe foli në mënyrë të veçantë për z. Gjon Kola si kandidati që përfaqëson rrethin e Laçit.
Kola është një ish-i dënuar politik dhe ka qenë një nga drejtuesit më të aftë të policinë së shtetit që ka drejtuar me ndershmëri dhe autoritet të plotë shumë komisariate të Shqipërisë.
e.l/NOA