Romë, 18 qershor NOA - Diplomacia italiane ka vendosur të vihet në lëvizje, në përpjekje për të përmbushur qëllimin e heqjes së vizave për Shqipërinë dhe disa vende të tjera të Ballkanit.
Zëvendësministri i Jashtëm Alfredo Mantica, i cituar dje nga mediat italiane, ka bërë të ditur planin e Romës zyrtare.
Mantica ka kërkuar mbajtjen e një samiti mes Brukselit, vendeve të Ballkanit dhe Shteteve të Bashkuara, në lidhje me heqjen e regjimit të vizave mes vendeve të Ballkanit ende nën këtë regjim dhe vendeve të Bashkimit Evropian.
Mantica njoftoi se Samiti do të mbahet gjatë gjysmës së parë të vitit 2010.
Plani, vjen pak ditë para se Italia të marrë Presidencën e radhës të Iniciativës së Adriatikut dhe Jonit.
"Një nga prioritetet më të forta të presidencës, do të jetë forcimi i marrëdhënieve mes Ballkanit dhe Bashkimit Evropian, duke nisur nga liberalizimi i regjimit të vizave me të gjitha vendet e rajonit", ka deklaruar zëvendësministri i Jashtëm italian.
Ai ka kujtuar faktin se kjo nismë është ndërmarrë nga kryediplomati Franko Fratini, aktualisht Ministër i Jashtëm i Italisë, i cili ka përpiluar edhe planin tetë pikësh për integrimin e rajonit në Evropë.
Mësohet se Presidenca italiane e Iniciativës së Adriatikut dhe Jonit do të fokusohet në disa çështje me rëndësi për Ballkanin, siç është konflikti për emrin mes FYROM-it dhe Greqisë, por dhe krijimi i një rrjeti evropian që do të përfshijë shumë shtete ballkanike, për të kontribuar në stabilizimin e tyre dhe në futjen e tyre të menjëhershme në sistemin europian.
Italia është një prej mbështetësve më të fuqishëm të liberalizimit të vizave mes Ballkanit dhe Bashkimit Evropian.
e.l/NOA