Vlorë, 17 qershor NOA - Studentë të degës së anglishtes dhe të infermierisë kanë protestuar sot para godinës universitare.
Ata kanë bojkotuar mësimin dhe shkak për këtë kanë qenë mosplotësimi i disa kërkesave të prezantuara pak ditë më parë në rektoratin e universitetit të Vlorës.
Studentët thanë se kërkonin diçka të ligjshme, ndërsa po përfshiheshin në disa vendime të marra në mënyrë arbitrare dhe në momentet e fundit, të cilat ndikonin direk në arsimimin e tyre të mëtejshëm.
Të vendoset sezoni i vjeshtës për lëndët e viteve të kaluara, në pamundësi të ndjekjes së kurseve verore, të organizohet një sezon për këto lëndë, tema të jepet në shtator, për të pasur mundësinë e një përgatitjeje më dinjitoze si dhe mbajtje nën mbikëqyrje të pedagogëve, të cilët vendosnin paraprakisht sa duhet të jetë përqindja e mbetësve ishin kërkesat e studentëve.
Studentët i kanë drejtuar një peticion ministrit të arsimit, me anë të së cilës e vënë në dijeni se ka një ndryshim të papritur të rregullores për ta.
Ata i kërkojnë të shqyrtojë problemin e tyre, i cili po shihet me indiferencë nga ana e rektoratit të Vlorës.
Studentët thanë se do të përshkallëzojnë protestat, ndërsa kanë vendosur të protestojnë edhe para ministrisë së arsimit.
k.k/NOA