Bruksel, 18 qershor, NOA - Bashkimi Evropian përveç reflektimit të optimizmit për heqjen e vizave për Maqedoninë, së shpejti pritet të shprehë rekomandime dhe kritika të ashpra në adresë të Maqedonisë lidhur me ngecjet në moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, çështjen e emrit, reformat në administratë, gjyqësi dhe për Ligjin për punë të brendshme.
Këto kritika pritet që zyrtarët e Komitetit evropian për stabilizim-asocim tia kumtojnë përfaqësuesve të Qeverisë së Maqedonisë në një takim të planifikuar dhe paralajmëruar për sot dhe nesër në Bruksel.
Në takimin e gjashtë të Komitetit për Stabilizim-Asociim, përfaqësuesit e ministrive dhe institucioneve të tjera relevante nga Republika e Maqedonisë do ta prezantojnë përparimin e arritur për përmbushjen e kritereve politike dhe ekonomike, si dhe aktivitetet për miratimin e së drejtës së bashkimit Evropian në pajtueshmëri me Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim.
Komisioni Evropian jozyrtarisht ka shprehur shqetësime për mungesën e dialogut politik, nxitjen e projekteve shtetërore që shprehin padurueshmëri dhe urrejtje ndërfetare dhe ndërnacionale dhe politizimin e administratës shtetërore.
Sipas zyrtarëve evropianë në Bruksel, Maqedonia gjithashtu ballafaqohet me sfida në zbatimin efektiv të legjislaturës, veçanërisht në tregti, politikë tatimore, veterinare dhe fitosanitare.Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Ervan Fuere ka deklaruar se rekomandimet e KE-së bazohen në vlerësime rigoroze dhe objektive të procesit dhe sjelljeve ku vendi i plotëson standardet, parakushtet për afrim ndaj BE-së.
NOA-INA