English

Ekskluzive NOA - Një grua e re nga Elbasani, shtatzënë me një fëmijë pa kokë

Tiranë, 18 qershor NOA - Një grua e re, ka pësuar gjendje shoku në maternitetin kryesor të Tiranës, pasi ka mësuar se fëmija që ajo pas pak javësh pret të sjellë në jetë, do të lindë pa kokë.

Lajmin tronditës, gruaja 22-vjeçare nga fshati Shijon i komunës Bradashesh pranë ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, e ka mësuar mesditën e djeshme (e Mërkurë), në orën 13.30, në Spitalin Obstetrik-Gjinekologjik "Mbretëresha Geraldinë", konfirmuan sot për agjencinë e lajmeve NOA, burime mjekësore nga ky institucion shtetëror i shëndetit të gruas dhe fëmijës.

Burimet e mësipërme, sqaruan se gruaja e re, kishte ardhur e shoqëruar nga familjarë të saj, për të kryer një Eko në këtë maternitet.

Sipas mjekëve dhe mamive, gruaja e re që pret të bëhet nënë e një fëmije me problem fatal, vinte të bënte Eko për herë të parë, pas shtatë muajsh që fëmija ishte ngjizur në mitrën e saj.

Kryerja e Ekos ka evidentuar faktin se fëmija merrte frymë normalisht në barkun e nënës, zemra funksionon në mënyrë optimale, kurse i mungon plotësisht koka.

Pjesëtarët e ekipit të përkujdesjes ndaj nënës dhe fëmijës, kanë shprehur habi të thellë, kur janë përballur me këtë fakt, dhe pohuan se e kanë pasur shumë të vështirë që t'ia tregojnë gruas së re, e cila pritet të sjellë në jetë fëmijën e parë, me një handikap të tillë.

Bluzat e bardha kanë mësuar se e reja shtatzënë vinte për herë të parë të kryente një konsultë dhe një Eko.

Sipas mjekëve, nëse shtatzëna, do të ishte paraqitur për të bërë një kontroll mjekësor në maternitet si dhe një Eko, më së shumti deri në muajin e tretë, do të ishte mësuar që herët se fëmija nuk kishte kokë dhe mund të realizohej një operacion për dështimin.

Por, kanë pohuar bluzat e bardha, në kushtet aktuale, kur barra e shtatzënës është në muajin e shtatë, kur mbeten edhe pak javë nga lindja e pritshme, një ndërhyrje është e pamundur.

Në këto kushte, mjekët dhe mamitë, do të presin daljen në jetë të fëmijës pa kokë, pikërisht pas pak javësh, duke u kujdesur edhe për shëndetin e gruas së re.

Bluzat e bardha kanë pohuar se pavarësisht faktit se bebja do të lindë me organet e tjera në funksionim optimal, përfshirë zemrën, ajo nuk mund të jetojë.

Shtatzëna, jeton në fshatin Shijon, të komunës Bradashesh, pranë rrugës nacionale Elbasan-Tiranë.

Në këtë zonë, vetëm pak kilometra larg qytetit të Elbasanit, gjendet ish-Kombinati Metalurgjik, tashmë efektiv vetëm në një pjesë të saj.

Specialistët e mjedisit, si dhe mjekë onkologë në Elbasan dhe Tiranë, kanë evidentuar mëse një herë faktin se ndotja nga Metalurgjiku, i cili momentalisht, në pjesën kryesore të tij menaxhohet nga firma turke e hekurit, "KURUM", sjell probleme të shumta për njerëzit që banojnë përreth zonës.

Ndër to, më të prekshme janë tumoret që shkaktojnë në Elbasan, rreth 300 të vdekur të moshave kryesisht 25-40 vjeç çdo vit, si dhe lindje të njerëzve dhe kafshëve me deformime gjenetike në shkallë të ndryshme. Lindje të tilla, disa herë janë evidentuar në Elbasan, por ato haseshin më shumë te kafshët dhe shpezët shtëpiake.

Mjekët kanë pohuar hapur, se pasojat e ndotjes nga Metalurgjiku nuk janë akute, pra të menjëhershme, por efektet e saj tek njerëzit shfaqen vite të tëra më pas, duke shkaktuar probleme serioze, deri në marrje jetësh.

e.l/NOA

KOMENTE