English

PS, ngushëllon familjen Keka. Kodheli: Policia e Shtetit, të punojë pa u bërë palë me askënd

Tiranë, 18 qershor NOA - Zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli me anë të një deklarate për shtyp i ka shprehur ngushëllime në emër të PS-së, familjes së kreut të PDK për Malësinë e Madhe.

"Partia Socialiste po ndjek me vëmendje ngjarjen shokuese të ndodhur sot në mëngjes në Shkodër. Ne i shprehim ngushëllimet me të sinqerta familjes së viktimës, miqve dhe kolegëve demokristianë. Ngjarja e sotme përgjak sërish fushatën zgjedhore të cilën po e tensionon çdo ditë e më shumë gjuha e urrejtjes dhe presioni i pushtetit" tha Kodheli.

"Ne i bëjmë thirrje Policisë së Shtetit, të punojë pa u bërë palë me askënd dhe pa u nxituar në përfundime të parakohshme dhe joprofesionale, të zbardhë një orë e më parë rrethanat e kësaj vrasjeje dhe të çojë përpara drejtësisë autorët e saj.

Partia Socialiste i bën thirrje shqiptarëve t'i shmangen dhunës dhe të bëhen pjesë e një debati politik qytetar. Në këto zgjedhje kaq të rëndësishme për të ardhmen tonë, duhet vendosur me votë dhe jo me dhunë" deklaroi më tej Kodheli.

k.k/NOA

KOMENTE