Pse shoqëria jonë më shumë e ndëshkon atë që e vjedh një bostan, se sa atë që e vjedh testin e vozitjes, atë të pranimit në universitet, apo votën e lirë?
Nga Berat Buzhala
Pse disa vjedhje konsiderohen vjedhje, e disa të tjera jo? Për shembull, pse vjedhja e organizuar e testeve të regjistrimit të fëmijëve në universitet prej prindërve, mësuesve dhe gjithë shoqërisë gati konsiderohet vlerë, kurse nëse e vjedh një bostan diku në arë konsiderohet krim? Nuk e po e justifikoj aktin e dytë, por akti i parë e mban shoqërinë të zhytur në llum deri në pambarim.
Çfarë shoqërie është kjo që kur i tregon se lejen e kerrit e ke marrë thjesht sepse i ke vjedhur të gjitha pyetjet e mundshme ta rrahin shpinën, kurse nëse i tregon se në autobus ia ke vjedhur dikujt kuletën distancohen prej teje si prej dreqit. Nuk po e justifikoj aktin e dytë, por akti i parë prodhon gjak dhe vdekje. Edhe vjedhja e testit të regjistrimit në universitet edhe e testit të lejes së kerrit do të duhej të konsideroheshin, sipas çdo parametri, si veprime qindra herë më të rrezikshme se sa një bostan apo një kuletë. Fatkeqësia jonë është se në kohën kur ka jetuar princi Lekë Dukagjini, në këto anë nuk ka pasur as shkolla, e as autoshkolla, e as supershkolla. Thjesht nuk ka pasur kurrfarë shkolle. Kemi jetuar në lloj-lloj shteti e pushteti, ku vjedhja e tij ka qenë akt heroik. Në shkollë na kanë treguar, ose në "mes rreshtash" kanë provuar të na tregojnë, se ata që e udhëheqin shtetin janë hajna. Nëse ata qenkan hajna, pse të mos bëhemi edhe ne kur të rritemi. Hoxha dhe prifti nuk janë përzier në punët e shtetit, sepse "Cezarit çka i takon Cezarit, Zotit çka i takon Zotit". Me një fjalë, punët shtetërore nuk janë në domenin e Zotit. Në familje kanë treguar se krejt shteti është një mashtrim i madh. Një skemë piramidale, në krye të së cilës qëndron kapoja, i cili është atje sepse ka vjedhur. I ka vjedhur, ose paguar, edhe votat e delegatëve që e kanë zgjedhur atje. Votat? Nime, ne i vjedhim edhe votat. E as ky mëkat suprem, që në vijë vertikale i prodhon krejt hajnitë tjera, nuk është mëkat sipas traditës tonë popullore. Kurse huqet e popullit nuk sanohen me knauf, e as me mallter. Një rezolutë e re në fuqi, a një ligj më shumë në fuqi, a një kushtetutë e re nuk e ndryshojnë një mendësi. Sepse ne e urrejmë edhe rezolutën, edhe ligjin, e edhe kushtetutën. E kemi trashëgimi familjare. Gati gjenetike. Shkrova para disa ditëve për zgjedhjet e lira dhe demokratike. Për frikën që e kam se ndoshta nuk jemi sa duhet të vetëdijshëm se para vetës po na pret testi më kritik që prej kur nga këtu është larguar ushtria dhe policia serbe. Është data 15 nëntor, kur do të mbahen zgjedhjet lokale. Dhe u kujtova mandej kur mësova për një shpërdorim masiv të testeve të maturantëve në disa shkolla të mesme. Magjia e gjithë kësaj është se qytetarët më shumë brengosën për faktin se as gjysma nuk e kanë kaluar testin - edhe kjo është për brengosje - sesa për vjedhjet. Të njëjtit qytetarë nuk brengosen as për vjedhjen e votave, sepse të njëjtit nuk brengosen as për vjedhjen e rrymës, të cilën e bëjnë vetë, e as nuk brengosen për çfarëdo lloj vjedhjeje që nuk e prek direkt astarin e xhepave të tyre të cekët. Do të ishte rrugë e gjatë dhe e mundimshme që tash t'iu shpjegohet atyre se si krejt kjo vjedhje në fund të fundit prek vetë ata dhe buxhetin e tyre familjar. Çdo përpjekje edukative e kësaj natyre ua shpejton përgjumjen dhe hapjen e gojës. Sepse nuk besojnë në korrektësi. Mirëpo, po kthehem edhe njëherë tek hajnia supreme dhe kërcënimi që na vjen prej saj. Këto janë votat dhe zgjedhjet e lira. Të gjitha të tjerat janë të riparueshme, nëse organet shtetërore dhe vetë shoqëria zotohen për një të ardhme më të mirë për të gjithë ne. Nëse këtu ndalet hajnia, nëse institucionet tona fuqishëm angazhohen për zgjedhje me duar të pastra, atëherë rruga e jonë drejt Bashkimit Europian, NATO-së dhe secilit institucion tjetër kredibil perëndimor është e hapur. Nëse nuk ndodh kështu. Nëse zgjedhjet e 15 nëntorit prodhojnë dilema dhe pakënaqësi të palëve që marrin pjesë aty, atëherë të jeni të bindur se do të futemi në një cikël të rrezikshëm dhe recidivist të kontestimit të vullnetit të qytetarëve. Mostra të këqija kemi sa të doni në rajonin tonë. Një vranësirë e zezë tashmë është duke bërë xhiro mbi Shqipërinë. Ky shtet më 28 qershor do të përballet me zgjedhjet e përgjithshme, ngjarje për të cilën Shqipëria ka dëshmuar, këto 20 vjet, se nuk ka as talent për t'i organizuar e as vullnet politik për t'i tejkaluar ato pa britma dhe turma në rrugë. Disa herë procesi zgjedhor Shqipërinë e ka shmangur prej rrugës. Fakti se në zgjedhjet e kaluara ne kemi pasur qetësi dhe respektim të procesit nuk është kurrfarë garancie se kështu do ta nisim rrugën edhe në shtetin tonë. Tash gjasat janë shumë më të madha për tensione, sepse kjo gjë vërehet edhe në ajër. Liderët politikë tash janë më nervoz se sa kanë qenë vitet e shkuara. Ata tash gjithashtu janë më të përgatitur për t'i menaxhuar rrezikshëm militantët e tyre. Për t'i prerë rrugën fatkeqësive kombëtare, organet kompetente për organizimin e zgjedhjeve duhet qysh tash t'i fillojnë përgatitjet e tyre. Pikat e problematike zgjedhore duhet të mbulohen me vëzhgues të huaj. Një parti vendore opozitare, më duket AKR e Pacollit, ka propozuar që në të gjitha pikat zgjedhore, sado që janë ato, duhet të vendosen kamera të vëzhgimit. E lexova se edhe një vend shumë i papërshtatshëm për organizimin e zgjedhjeve të lira, si Libani, e ka kaluar testin falë edhe kamerave të vendosura. Kjo praktikë duhet të zbatohet edhe këtu. Të gjitha këto kamera duhet të janë të lidhura me një kryeqendër që e vëzhgon nga afër gjithë procesin. Kjo do ta mbyllte secilën gojë dhe secilin politikan kryeneç që ditën e nesërme të shpalljes së rezultatit zgjedhor ta ftojë elektoratin në rrugë. Nëse këtë pengesë e kalojmë si duhet, të jeni të bindur se perspektiva e jonë do të jetë shumë më e qartë. Unë për vete, më shumë se ndarjen e shteteve në demokratike dhe jodemokratike, do të preferoja që t'i ndaja në shtete që organizojnë zgjedhje të lira dhe shtete që nuk organizojnë zgjedhje të lira. Kur ky kusht plotësohet dhe kur qytetarëve u respektohet vullneti i tyre i shprehur me anë të votës, do të mund të ndëshkojmë secilën keqqeverisje.
Autori është kryeredaktor i "Express"