Uashington, 18 qershor, NOA - Ministri i Jashtëm i Kosovës dhe ai i Serbisë kanë shkëmbyer akuza të ashpra me njëri-tjetrin në takimin e organizuar nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të shqyrtuar gjendjen në Kosovë.
Â
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm Serb tha se sipas shifrave të Komisionerit të Lartë të OKB-së për refugjatët janë mbi 200 mijë serbë ende nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre. "Por më e rëndësishmja, - tha ai, - është se nga të zhvendosurit serbë janë bërë më tepër se 40 mijë kërkesa për kthimin e pronave të uzurpuara ilegalisht dhe ata nuk kanë marrë përgjigje". Por ndaj komenteve të tilla, është kundërpërgjigjur menjëherë ministri i jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, i hodhi poshtë akuzat e Jeremiç si dhe shifrën prej 40 mijë kërkesa për kthime pronash duke i quajtur ato "fantazira" dhe duke thënë se Beogradi po bën lojë me numrat. Sipas tij, Serbia e pengon vetë kthimin e të zhvendosurve serbë në Kosovë për t'i treguar bashkësisë ndërkombëtare se ajo nuk po i kryen detyrimet e saj, duke shtuar se Kosova është e angazhuar për kthimin e çdo personi të zhvendosur dhe se të gjitha pretendimet për prona do të marrin përgjigje.
Në pozicione të kundërta ishin dy ministrat edhe për çështjen e rikonfigurimit të UNMIK-ut, misionit të OKB-së në Kosovë.
Jeremiç i tha Këshillit të Sigurimit se prania e UNMIK-ut duhet të vazhdojë dhe buxheti i tij të mos shkurtohet.
Ndërsa ministri Hyseni tha se me vendosjen e pranisë së misionit europian EULEX në Kosovë, UNMIK-u e ka kryer rolin e tij.
"Nuk mund të qëndrojnë shumë prani ndërkombëtare në të njëjtat mandate," tha ai.
n.e/NOA