Pukë, 19 qershor NOA - Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli ka qenë sot në qytetin e Pukës, ku ka vizituar banorët shtëpi më shtëpi, e dyqan më dyqan.
Në bisedat me studentë, zonja, pensionistë, drejtues të biznesit të vogël e të madh, zonja Jozefina Topalli tha se në katër vitet e ardhshme do të rriten investimet në infrastrukturë, më shumë investime do të ketë në bujqësi e më shumë mundësi punësimi do të kenë për të rinjtë e Pukës.
Ajo theksoi se rrugët e të gjitha fshatrave do të lidhen me komunat, do të rritet granti për fshatin e do të investohet në sistemin e ujitjes. Pensionet e fshatit do të barazohen me pensionet e qytetit si dhe do të rritet asistenca sociale.
Gjatë qëndrimit në Pukë, Topalli vizitoi edhe mjediset e një fabrike të një prej markave më të njohura të këpucëve në Evropë, një biznes që kishte mundësuar punësimin e mbi 100 vajzave  e grave.
Në bisedat me punonjëset e fabrikës Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli premtoi se më shumë biznese do të hapen, më shumë vende pune do të krijohen për djemtë dhe vajzat e Pukës, por edhe në të gjithë Shqipërinë dhe çdo investitor i huaj do të investojë në Shqipëri pa paguar taksa për pesë vjet.
k.k/NOA