Tiranë, 19 qershor NOA - Anëtarja e kryesisë së Partisë Socialiste, Lindita Nikolla me anë të një deklarate ka akuzuar kryeministrin Berisha se ka shpenzuar 10 milionë euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë në mënyrë që ministrat e tij të furnizojnë me karburant makinat në pronësi të shtetit shqiptar.
"Vetëm pak ditë më parë jemi njohur me faktin se Sali Berisha ka shpenzuar 10 milionë euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë në mënyrë që ministrat e tij të furnizojnë me karburant makinat në pronësi të shtetit shqiptar Ky fakt është i pafalshëm. Edhe njëherë, Berisha dështoi, duke mos investuar në ato projekte të cilat do të siguronin një ndryshim të prekshëm në jetën e shqiptarëve.
Me paratë e çuara dëm për karburant, mund të ishte investuar në arsim dhe shëndetësi, mund të ishin rritur rrogat dhe pensionet për mbi 70,000 individë. Por fatkeqësisht, Sali Berisha vendosi t'i djegë këto para të taksapaguesve shqiptarë" tha Nikolla.
Sipas saj, Sali Berisha i ka kthyer shpinën Shqipërisë dhe në 28 Qershor PS fton shqiptarët që t'i kthejnë shpinën atij.
"Edi Rama dhe politika e re do të ndryshojë mënyrën se si shpenzohen paratë e taksapaguesve shqiptarë. Zgjedhja në 28 qershor është e qartë. Mund të vazhdojmë në rrugën e vjetër të politikës së vjetër, ose mund të zgjedhim një vizion të ri, një drejtim të ri për të ndryshuar dhe përmirësuar jetën e shqiptarëve. Ky është ndryshimi mes Sali Berishës dhe Edi Ramës. Për ne më të rëndësishmet janë interesat e njerëzve" përfundoi deklaratën e saj Nikolla.
k.k/NOA
Â
Â