Shkodër, 19 qershor, NOA - Rreth 20 persona rezulton të jetë numri i personave që policia deri tani ka shoqëruar për të marrë informacione mbi aktin e djeshëm të vrasjes së kreut të Partisë Demokristiane në Malësinë e Madhe, Aleksandër Keka.
Sipas të dhënave policore për agjencinë e Lajmeve NOA, të shoqëruarit janë pyetur për lëvizjet e orëve dhe minutave të fundit të Kekës, por në mënyrë zyrtare ende nuk ka ndonjë pistë hetimi.
Ndërkaq, autopsia e bërë ndaj të ndjerit ka treguar se vdekja e tij është shkaktuar nga aktivizimi i eksplozivit, ndërsa makina me të cilën udhëtonte ishte në lëvizje.
Grupi hetimor ka mbledhur të gjitha provat nga vendi i ngjarjes, ndërsa duke u nisur nga dëmtimet e shkaktuara në trupin e Kekës, dyshohet se eksplozivi është vendosur në pjesën e poshtme të sediljes së shoferit dhe aktivizimi është bërë përmes një telekomande në distancë.
Nga ana tjetër, bëhet e ditur po për NOA-n, se ceremonia mortore për Aleksandër është caktuar të zhvillohet sot në orën 17:00.
Aleksandër Keka, kreu i Partisë Demokristiane në Malësisë së Madhe, ka humbur jetën dje nga një atentat me eksploziv dhe ngjarja ka ndodhur në një rrugë në hyrje të Shkodrës.
Mësohet se bashkë me kreun e PDK-së së Malësisë së Madhe udhëtonte edhe një
tjetër person i cili ka mbetur i plagosur.
n.e/NOA