English

Hap dyert muzeu i ri i Akropolit, vijnë personalitete nga e gjithë bota

Athinë, 20 qershor NOA Update - Muzeu i ri i Akropolit, vepra që është pritur prej mëse 33 vjetësh, më në fund ka hapur sonte zyrtarisht dyert, fillimisht për personalitete të larta të Greqisë dhe nga e gjithë bota e ditët në vazhdim për të gjithë vizitorët.

Në ceremoni, ishin të pranishëm Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias, kryeministri Kostas Karamanlis, ministri i Kulturës, Antonis Samaras.

Po ashtu, ishin të pranishëm personalitete nga e gjithë bota, mes tyre Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, presidenti i UNESCO, Koichiro Macura, etj.

Nga pala greke e morën fjalën ministri i Kulturës, Antonis Samaras, kryeministri Kostas karamanlis dhe presidenti Karolos Papulias. Gjithashtu përshëndetën celjen e muzeut, Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso si dhe presidenti i UNESCO-s, Koichiro Macura.

Për presidentin Karolos Papulias, ky muze, është pasaporta e grekëve.

Surprizë e këndshme për të gjithë të pranishmit përreth Akropolit dhe muzeut si dhe direkt, miliona shikuesve në të gjithë botën, ishte transmetimi i pamjeve nga Partenoni.

Ndërtimi i muzeut u projektua dhe nisi në vitin 1989 me nismën e Melina Merkurit, kur morën pjesë 500 firma arkitektonike nga e gjithë bota.

Pas shumë peripecish punimet u arrit të përfundojnë para pak kohësh. Muzeu mund të përballojë goditje sizmike deri në 10 ballë të shkallës Rihter.

Këto ditë, e gjerë ka qenë jehona e celjes së muzeut të ri të Akropolit. Televizionet kryesore greke, duke marrë sinjalin nga ERT, rrjeti shtetëror televiziv grek, i cili ishte I vetmi që u lejua të marrë pamje direkte, transmetuan direct ceremoninë.

Gazeta, radio, agjenci lajmesh dhe televizione nga e gjithë bota, gjenden po ashtu në Athinë me gazetarët dhe kamerat e tyre, për të raportuar mbi hapjen zyrtare të muzeut.

Në raportet e gazetarëve, nuk mungon keqardhja për faktin se një pjesë e mirë e Partenonit, gati gjysma e tij, nuk gjendet në muzeun e ri, por në atë britanik, në Londër.

Nga sot dhe deri më 23 qershor, muzeu do të hapet dhe për vizitorët, vetëm për ata që do të blejnë bileta elektronike përmes sistemit e-ticketing, i cili aplikohet për herë të parë në një muze grek. Autoritetet sqaruan se rezervimet do të bëhet vetëm përmes e-ticketing.

Nga data 24 qershor dhe deri më 31 dhjetor, do të lejohet vizita e muzeut me bileta jo vetëm elektronike por edhe të blera pranë objektit, me çmimin e përkohshëm prej një euro dhe duke nisur nga viti 2010, do të kushtojë pesë euro.

Muzeu mund të vizitohet nga 2.5 milionë njerëz çdo vit. Një euro do të kushtojë bileta deri në fund të vitit 2009 dhe 5 euro në vitin 2010, në ditë vizitash nga 8 e mëngjesit deri në 8 të darkës, përjashtuar të hënat. NOA

KOMENTE