Berat, 20 qershor NOA - Kandidati i Partisë Demokratike në qarkun e Beratit, Genc Pollo organizoi një takim sot me banorët e këtij qyteti ku prezantoi projektin për ndërtimin e Boshtit të Jugut.
Pollo tha se ky është një ndër projektet më të mëdha në infrastrukturë që do të finalizohet në mandatin e dytë të Partisë Demokratike.
Kandidati i PD-së që kryeson dhe listën e Partisë Demokratike në Berat, u ndal në rëndësinë që ka Boshti i Jugut në zhvillimin e Beratit dhe zonave që e rrethojnë atë.
"Boshti i Jugut" do të jetë një urë lidhëse që do të bashkojë Beratin me Tiranën.
Berati sot është një qendër zhvillimi, është një qendër e shkëmbimeve tregtare. Boshti i Jugut është një rrugë që ndryshon historinë rajonale, historinë e Shqipërisë së Jugut dhe të Shqipërisë së Mesme." tha Pollo.
Pollo tha se projekti për ndërtimin e Boshtit të Jugut do të kushtojë 491 milionë euro dhe do të nisë zbatimin shumë shpejt. Pollo u bëri thirrje qytetarëve të Beratit të votojnë Partinë Demokratike për të bërë realitet ndërtimin e kësaj vepre madhore në infrastrukturë.
k.k/NOA