Shkodër, 21 qershor NOA - Prokuroria për Krimet e Rënda dhe grupi hetimor që po merren me çështjen e "Kekës" ende nuk ka zbuluar një motiv kryesor apo emra konkret të dyshuarish për atentatin ndaj kreu të PDK-së së Malësisë së Madhe.
Megjithëse kanë kaluar katër ditë nga shpërthimi automjetit me të cilin po udhëtonte 38-vjeçari Aleks Keka i cili mbeti i vdekur, policia nuk ka mundur të zbardhë motivin e vënies së eksplozivit në automjet si dhe personat që hodhën në erë mjetin me anë të telekomandës.
Fill pas ngjarjes policia shoqëroi disa persona si dëshmitarë dhe autorë të dyshuar të ngjarjes.
Kështu kur kishin kaluar rretha 24 ora nga atentati burimet policore deklaruan se kishin shoqëruar rreth 20 persona në cilësinë e dëshmitarit apo dhe si autorë të dyshuar.
Por pasi janë marrë në pyetje për orë të tëra me radhë, policia më në fund ka vendosur të lërë të lirë të shoqëruar ndërsa dyshohet se nuk ka mundur të "veçojë" asnjë detaj të rëndësishëm prej tyre që do t'i ndihmonte në zbulimin e motivit dhe autorëve të krimit.
Ndërkohë që edhe vendi i ngjarjes i rrethuar nga policia, nuk ka mundur tu siguronte atyre shumë prova. Kjo pasi shpërthimi i eksplozivit C4 kishte shkatërruar çdo gjurmë duke vështirësuar punën e policisë.
Atentati ndodhi paraditen e së enjtes ku Aleks Keka kreu i PDK-së së Malësisë së Madhe po udhëtonte në drejtim të Shkodrës, kur makina e tij shpërtheu duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të tij.
Policia deklaroi se nga hetimet e kryera dyshohet se një sasi eksplozivi ishte vendosur nga persona ende të panjohur, poshtë sendiljes së shoferit dhe është aktivizuar në distancë me anë të një telekomande.
k.k/NOA