Bulqizë, 21 qershor NOA - Kryeministri Sali Berisha ka qenë sot në Bulqizë, ku pasi inauguroi përfundimin  e punimeve për segmentin e parë të rrugës së Arbrit me gjatësi 20 kilometra, u premtoi banorëve se në 4 vitet që vijnë Bulqiza dhe mbarë Shqipëria do të ketë fytyrën e bukur evropiane që meritojnë.
"Rruga e Arbrit  është rruga tjetër më e madhe kombit. Kjo rrugë ju afron ju me Tiranën, ju shkurton me më shumë se 50 % nga koha që ju udhëtoni tani. Bulqiza është një rreth me një perspektive realisht të  madhe. Në këtë trevë janë nënshkruat kontratat për ndërtimin e 15 HEC-ve me një fuqi prej 51 megavat" u shpreh Berisha.
"Unë kam ardhur sot këtu, për tu zotuar para jush, para minatorëve të Bulqizës, se një ndër ligjet më të para që do të kalojë në parlament është shkurtimi me 5 vjet i kohës së pensionit për minatorët e Bulqizës dhe të mbarë Shqipërisë. Ky shkurtim për efekte pensioni do të ketë fuqi të plotë prapavepruese, sikundër ju garantoj se pensionet e minatorëve do të vendosen në shkallën më të lartë të pensioneve" shtoi më tej kryeministri.
Gjithashtu Berisha siguroi qytetarët se qeveria e tij nuk do të ndërpresë përpjekjet për rritjen e rrogave.
k.k/NOA