English

Martohet çifti i infektuar me gripin e derrit, doreza e maska ditën e dasmës

Çikago, 22 qershor, NOA - Gripi i derrit, nuk i ka penguar dy të rinjtë e dashuruar që të martohen si gjithë njerëzit e tjerë që mbartin shëndet të plotë.

Nusja ishte veshur me fustanin e nusërisë dhe një maskë të bardhë mbi fytyrë, ndërsa edhe ai me kostumin e veçantë, kishte vënë gjithashtu maskë.

Por maskat kirurgjikale nuk kanë qenë detaji i vetëm i pazakontë në dasmëm e tyre. Dorezat kirurgjike gjithashtu e kanë plotësuar përjetimin, e krejt kjo për faktin se çifti i ri martesor vetëm 48 orë para fillimit të ceremonisë së martesës e ka kuptuar se janë të infektuar me gripin e derrave.

Pasi ka qenë tepër vonë që dasma të shtyhet, çifti 26-vjeçar ka vendosur ta bëjë atë me disa masa mbrojtje. Familja dhe miqtë nuk janë afruar, e edhe deri tek altari kanë arritur me hapësirë të mjaftueshme nga krushqit. Nëse përjashtohet kjo rrethanë, martesa në sinagogën në Highland Park ka kaluar si është më së miri. Nusja Ilana Jackson dhe dhëndri Jeremy Fierstien, kur kanë filluar të kanë ethe, kishin bërë shaka se janë infektuar me gripin e derrave. Por, kur mjekët i kanë njoftuar se janë infektuar me të vërtetë, më nuk ka qenë aq qesharake. Megjithatë ky çift guximtar, përkundër rrethanave, kanë mbetur të paepur.

n.e/NOA

KOMENTE