English

Mbytet në pishinë 9-vjeçarja shqiptare, lufton me vdekjen në spital

Hania, 22 qershor NOA - Një vajzë nëntë vjeçare nga Shqipëria, - e cila jeton me familjen emigrante në Greqi, lufton me vdekjen në spital pasi u mbyt në një pishinë pranë hotelit ku kishin shkuar me pushime.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme në lokalitetin Platania Hanion në Greqi. Sipas burimeve policore që citon korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA, vajza 9-vjeçare, gjendej në pishinë, kur befas i ka rënë të fikët.

Një person që gjendej në hotelin e pishinës, i cili ishte turist dhe ka një dhomë me qera, ka parë vajzën që qëndronte pa lëvizur dhe është hedhur në pishinë për të shpëtuar të voglën.

Në ndihmë të tij kanë shkuar dhe dy burra të tjerë dhe që të tre e kanë nxjerrë nëntë vjeçare nga pishina.

Në pak minuta, një ambulancë mbërriti dhe dërgoi fëmijën në spitalin shtetëror të Hanias. Por për shkak të gjendjes kritike, vajza u dërgua në Spitalin Universitar të Iraklios për mjekim më të specializuar.

Mjekët thanë se fëmija mbërriti në gjendje koma dhe lufta me vdekjen vazhdon për shkak se dyshohet për dëmtime të organeve jetësore. Mjekët nuk qartësuan shkaqet e gjendjes së të fikëtit që pësoi e vogla.

Dukuria e mbytjes së fëmijëve ka vënë nën alarm Greqinë. Një ditë më parë, dy vajza nëntë vjeçare gjetën vdekjen pasi u mbytën në një pishinë të një hoteli privat në Larisa, dy pronarët e të cilës pritet të dalin para gjykatës për t'iu nënshtruar një procesi penal. Ata akuzohen për vrasje nga pakujdesia.

n.s/NOA

KOMENTE