Nga "Financial Times"Â Liderët socialistë në Parlamentin Evropian e kanë kundërshtuar vendimin e qeverive të vendeve të BE-së për nominimin e kryetarit aktual të Komisionit Evropian, Hose Manuel Baroso, edhe për një mandat pesëvjeçar në këtë post, duke e vlerësuar këtë si një veprim të dhunshëm.
Duke i paraqitur prioritetet për mandatin e tij të dytë, ish-kryeministri i qendrës së djathtë të Portugalisë, Hose Manuel Baroso, tha se ai e sheh Bashkimin Evropian si një partneritet ndërmjet qeverive kombëtare dhe të Komisionit, duke vepruar në mënyrë të fuqishme në mbrojtjen e interesave të përbashkëta evropiane, por nuk do ta dëshironte këtë post, nëse qeveritë përpiqen ta anashkalojnë Komisionin, duke kërkuar që kjo trupë të jetë e nënshtruar. Por, politikani gjerman, Martin Shulc, që e udhëheq grupin e socialistëve në Parlamentin Evropian, tha se vendimi i shpejtë për ta nominuar zotin Baroso ishte "një veprim i dhunshëm politik, juridik dhe institucional". "Grupi im e kundërshton nxitimin e panevojshëm, me të cilin Këshilli i liderëve të BE-së po përpiqet ta shtyjë kandidimin e zotit Baroso dhe ne me siguri do të votojmë kundër tij", tha zoti Shulc. Sipas rregullave të BE-së, liderët e vendeve e propozojnë kandidatin për president të Komisionit, por fjala përfundimtare i mbetet Parlamentit Evropian. Sipas kësaj, zoti Baroso, tash për tash, është vetëm kandidat. Liderët e BE-së kanë vendosur që kryeministri i Çekisë, si vend që aktualisht e kryeson presidencën e radhës së BE-së, dhe ai i Suedisë, që në korrik e merr këtë presidencë, duhet të konsultohen me liderët e grupeve politike të Parlamentit, gjatë një takimi në Stokholm, gjatë javës së ardhshme. Qeveritë e vendeve të Bashkimit Evropian shpresojnë se këto konsultime do t'i bindin liderët parlamentarë që të votojnë për miratimin e rizgjedhjes së zotit Baroso, në mes të muajit korrik, kur Parlamenti, me përbërje të re, do të takohet për të parën herë pas zgjedhjeve në Bashkimin Evropian, që u mbajtën në fillim të këtij muaji. Aleatët e qendrës së djathtë të zotit Baroso janë grupi më i madh politik në Parlament, por ata nuk kanë vota të mjaftueshme për miratimin e zgjedhjes së tij. Shumë politikanë në grupin socialist, që është i dyti për nga madhësia në Parlamentin Evropian, dhe të gjelbrit janë të përkushtuar që ta bllokojnë zgjedhjen e zotit Baroso, megjithëse ata vetë nuk kanë ndonjë kandidat alternativ. Liberalët e qendrës, grupi i tretë për nga madhësia në Parlamentin Evropian, ende nuk kanë treguar se si do të veprojnë lidhur me kandidaturën për rizgjedhje të zotit Baroso në postin e presidentit të Komisionit Evropian.