Nga E. J. Dionne Jr.
Â
Kanë filluar të shtohen sulmet kundër presidentit Barak Obama, për shkak se ka dështuar t'i mbështesë sa duhet përkrahësit e kandidatit presidencial në Iran, Mir Hosein Musavi, duke pretenduar se Obama e "mban anën e regjimit" kundër popullit iranian.
Kjo qasje ndaj krizës shoqërohet me përkushtim të pamjaftueshëm ndaj vlerave amerikane. Por, presidenti e ka gjetur tonin e drejtë në deklarimet e tij publike, duke i bërë thirrje Qeverisë së Iranit t'i ndalë "të gjitha aksionet e padrejta e të dhunshme" dhe duke e bërë të qartë se Uashingtoni dhe bota po vëzhgojnë. Ai ka të drejtë morale dhe politike që t'i shmanget ndërhyrjes më të thellë në krizën politike pas-zgjedhore të Iranit. Shumë politikanë dhe komentues duket se vuajnë nga iluzioni se Shtetet e Bashkuara mund të kenë ndikim vendimtar në evolucionin politik të Iranit. Por, sistemi politik i Iranit është shumë më kompleks. Sa ekspertë amerikanë, zyrtarë apo anëtarë të Kongresit kanë qenë në Iran në 30 vjetët e fundit? Janë 66 milionë qytetarët e Iranit, e jo retorika e ashpër ajo që do ta përcaktojë fatin e ngjarjeve në këtë vend. Duke e ditur këtë, atëherë do të ishte jo vetëm kundër-produktive, por edhe e rrezikshme që Shtetet e Bashkuara të luajnë një rol më të dukshëm në turbullirat e brendshme të Iranit. Çështja e mbështetjes mund të shkojë edhe shumë më larg. Ne duhet ta pyesim veten se si do të reagonte populli i Iranit ndaj ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara në një vend, ku ndjenjat e forta nacionaliste e vulosën pozicionin politik të konservatorëve, dhe ku Uashingtoni, tani rregullisht fajësohet për mbështetjen e grusht-shtetit të vitit 1953. A mund të ndihmojnë vërtet Shtetet e Bashkuara? Edhe reformatorët e Iranit përballen me dilemë të ngjashme. Regjimi teokratik po e humb legjitimitetin pjesërisht, për shkak të dështimit ekonomik. Por, kur dobësohet legjitimiteti fetar dhe ekonomik, atëherë çfarë mbetet? Nacionalizmi iranian mund të jetë vendimtar dhe është e rrezikshme të luajmë me diçka që nuk e kuptojmë sa duhet. Përkrahësit e Musavit do të mbizotërojnë në Iran nëse do të kenë mbështetje të mjaftueshme publike dhe politike, përfshirë atë nga ushtria dhe shërbimet e sigurisë. Nëse nuk do ta kenë, atëherë vetëm mund të shpresojmë se ata do të mbijetojnë dhe do t'i nxjerrin mësimet e duhura, për t'u përpjekur tjetër herë. Përpjekjet amerikane për ta shtyrë çështjen, me gjasë do ta kthenin mbrapa evolucionin politik në vend sesa ta çojnë përpara, prandaj presidenti Obama e ka bërë gjënë më të mirë kur i ka matur komentet e tij. Nëse kriza përshkallëzohet, do të duhet të bëhet më shumë, gjë që administrata e ka thënë vetë. Përndryshe, ata që vërtet duan të shohin reformë politike në Iran, do të duhej të qëndrojnë mënjanë.
Publikuar nga "Washington Post"
Â
Â