Lushnje, 22 qershor NOA - Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi zhvilloi sot disa takime me banorë të lagjeve Teqe, Saravë dhe Karbunarë, në Lushnjë.
Gjatë fjalës së tij, Olldashi theksoi se një pikë e rëndësishme e programit të Partisë Demokratike për këtë mandat të dytë, do të vazhdojë të jetë zhvillimi i infrastrukturës rrugore.
"Do të mbajmë të njëjtin ritëm investimesh, por duke qenë se akset kombëtare po përfundojnë së ndërtuari, në këtë zonë ka mbetur vetëm një që do ta fillojmë në vjeshtë, rruga nga Konjati në Peze dhe Tiranë, do t'i kthehemi rrugëve dhe rrugicave të brendshme të qyteteve tona, për të asfaltuar çdo rrugë, çdo rrugicë, për të çuar asfalt në çdo portë. Nëse duam të kemi qytete evropiane, duhet t'u japim atyre infrastrukturë të standardeve evropiane", tha Olldashi.
k.k/NOA