Tiranë, 22 qershor NOA - Gjykata e Rrethit të Tiranës ka dënuar sot në mesditë me 8 vjet burg një burrë në moshë të thyer, i akuzuar për "vrasje me dashje të mbetur në tentativë".
Osman Tuzi, 70 vjeç i cili u gjykua në gjendje të lirë për shkak të gjendjes së tij të vështirë shëndetësore, ka marrë dënimin pasi iu ndryshua akuza.
Gjykata ka ndryshuar cilësimin e veprës penale nga "vrasje me paramendim mbetur në tentativë", në "vrasje me dashje mbetur në tentativë", siç tha, për shkak të rrethanave që kishte ndodhur ngjarja.
Vetë i moshuari e ka pranuar autorësinë e krimit. Ai ishte vetëdorëzuar në komisariatin numër 1 të kryeqytetit.
Sipas hetimeve ngjarja ka ndodhur më 25 shkurt të vitit të kaluar ku Tuzi është konfkliktuar me Neki Cenaliun, në fshatin Ibë të komunës Bërzhit, Tiranë.
Pas debatit mes tyre, i pandehuri ka nxjerrë një pushkë që kishte me vete dhe e ka qëlluar Cenaliun, duke i shkaktuar plagë të lehta.
e.l/NOA