Gjirokastër, 22 qershor NOA - Prishja e pazareve të drogës, dyshohet të jetë motivi i një pengmarrje të ndodhur dy ditë më parë në qarkun e Gjirokastrës, ndërsa policia ka mundur të identifikojë autorët ditën e djeshme.
Burime nga policia thanë se dje në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Tepelenë ka ardhur një telefonatë nga një shtetas i cili ka njoftuar se e kanë marrë peng disa persona dhe ndodhej në fshatin Luftinjë të rrethit Tepelenë.
Menjëherë pas marrjes së telefonatës nga ana e forcave të policisë së Komisariatit të Policisë Tepelenë është bërë verifikimi i kësaj telefonate.
Forca të shumta të policisë të Komisariatit të Policisë Tepelenë dhe të Sektorit Kundër Krimeve të Rënda të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë shkuar në fshatin Luftinjë, ku nga puna e bërë është bërë e mundur kapja e njërit prej autorëve, si dhe bllokimi i automjetit tip-Mitsubishi me targa TR 0609 F, në pronësi të Kastriot Dida, me të cilin është kryer pengmarrja .
Burime nga policia thanë se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës kur Kastriot Dida në bashkëpunim me Pëllumb Çaushin dhe Sali Vilën, kanë marrë me forcë në qytetin e Gjirokastrës me automjetin tip-Mitsubishi me targa TR 0609 F, shtetasin S.Ç, nga fshati Lazarat i rrethit Gjirokastër, duke e mbajtur për disa orë në një banesë në fshatin Luftinjë të rrethit Tepelenë dhe më pas e kanë lënë të lirë.
Nga veprimet e kryera rezultoi se motivet e kësaj ngjarje kanë qenë prishja e pazareve në trafikun e lëndëve narkotike midis autorëve dhe të dëmtuarit.
Nga ana e Specialistëve të Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër është bërë ndalimi i 29-vjeçari Sali Vila, lindur në Përmet dhe banues në fshatin Çepunë të rrethit Gjirokastër, për veprën penale "Heqje e paligjshme e lirisë e kryer në bashkëpunim".
Gjithashtu është ndaluar edhe pengu S.Ç, 27-vjeç pasi akuzohet për veprën penale "Moskallzimit të krimit".
Ndërkohë që ideatorët e pengmarrjes Kastriot Dida lindur dhe banues në Tepelenë, dhe kunati i tij Pëllumb Çaushi ,po nga Tepelena, janë shpallur në kërkim.
k.k/NOA