English

Të majtët takohen pa kreun e PS, Nano sulmon Ramën: Je foshnjarak

Tiranë, 22 qershor NOA Update/I plotë - Tryeza e partive të majta u zhvillua sot pa praninë e kreut të partisë kryesore, asaj Socialiste, Edi Rama.

Të pranishëm në takim, Kryetari i LSI, Ilir Meta, Ish-Kryetari i PS, z.Fatos Nano dhe Kryetari i PSV'91, Petro Koçi.

Në përfundim të takimit, sulmi i radhës i Nanos, ishte i ashpër sërish. Ai e qesëndisi Ramën duke e quajtur foshnjarak në mënyrën se si bën politike dhe paralajmëroi atë, se në këtë mënyrë e ka të pamundur t'i fitojë zgjedhjet e së dielës që po afron.

Ndërsa kreu i LSi, Meta, ka sqaruar nismën e tij: "Vullneti im dhe i LSI ka për qëllim bashkëpunimin në radhë të parë për mbrojtjen e standardeve të zgjedhjeve në 28 Qershor dhe koordinimin e të gjithë faktorëve të majtë për fitoren sa më bindëse dhe të sigurt të opozitës në tërësi dhe të majtës progresiste në zgjedhjet e 28 Qershorit", - tha Meta.

Ai shtoi se ftesa mbetet e hapur duke hedhur shpresën se "si në të kaluarën edhe në të ardhmen z.Rama do të jetë pjesë e projekteve tona integruese".

Ndërkohë, z.Nano, i pyetur nëse do të përfshihet në fushatën e LSI apo PSV '91, tha se "nuk kandidoj dhe nuk jam pjesë e fushatës apo ballafaqimit midis subjekteve elektorale për zgjedhjet e 28 Qershorit".

Kurse sqaroi se "nuk jam këtu në favor apo në dëm të liderëve, por jam për të sjellë edhe tek liderët e sotëm të së majtës, edhe në vëmendjen e opinionit publik, nevojën e pranimit të njëri-tjetrit në emër të interesit më të madh që bashkon njerëzit dhe ky është mesazhi im i progresit, apo kjo është mënyra më e mirë e bashkërendimit të energjive për të çuar Shqipërinë përpara".

Ndërsa pyetjes "përveç se synoni largimin e Berishës, mos ndoshta synoni dhe largimin politik të z.Rama:, Nano i dha këtë përgjigje:

"E rëndësishme është të jemi sërish pranë njëri-tjetrit në traditën më të mirë të socialistëve dhe të së majtës progresiste gjatë gjithë epokës të pluralizmit. Po ritheksojmë se nuk drejtohet kundër askujt kjo iniciativë, por është në dobi të të gjithëve. Kemi pas thënë dikur se nuk kemi ç'i bëjmë fenomenit të vetëlargimit".

Këtu ka dhënë përgjigje edhe Meta i cili tha se "projekti ynë është integrues, dhe në këtë drejtim ftesa mbetet e hapur dhe besoj se si në të kaluarën edhe në të ardhmen z.Rama do të jetë pjesë e projekteve tona integruese".

Më poshtë gjeni deklaratën e përbashkët të Kryetarit të LSI, z.Ilir Meta, ish-Kryetarit të PS, z.Fatos Nano si dhe Kryetarit të PSV'91, z.Petro Koçi

"Sot kur pak ditë na ndajnë nga mbajtja e zgjedhjeve të 28 Qershorit, me përgjegjësinë se këto zgjedhje janë vendimtare për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë, në aspektin e plotësimit të standardeve si vend anëtar i NATO-s, por dhe për integrimin e saj në BE;

duke vlerësuar se qeverisja aktuale nuk jep asnjë garanci për organizimin e procesit zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, dhe as në suksesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian;

duke evokuar edhe një herë traditën e të majtës progresiste shqiptare që kurdoherë ka ditur të vendosë interesat e vendit mbi ato të grupimit të individëve, në kuptimin se sfida dhe përgjegjësia e opozitës dhe të majtës është më historike se kurrë, objektivi i saj i përbashkët largimi i Sali Berishës mund të realizohet me përpjekjet e përbashkëta dhe me koordinimin e të gjithë faktorëve politikë të saj,

ne shprehim vullnetin politik për angazhimin e të gjithë kontributeve të së majtës progresiste, për garantimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, ndërprerjen e diversionit të forcave të majta ndaj njëra -tjetrës, vendosjen e një bashkëpunimi sa më të gjerë midis partive të majta dhe progresiste, për arritjen e objektivit kryesor: largimin e Sali Berishës dhe qeverisjes së tij të dështuar, krijimin e frymës së opozitës në fitoren e së majtës progresiste.

Ftesa për t'u bashkuar rreth këtij vullneti politik mbetet e hapur edhe për përfaqësuesit e tjerë të majtë, që nuk janë sot të pranishëm, me shpresën të kuptojnë se ky nuk është thjeshtë vullneti ynë politik, por edhe i të gjithë elektoratit të majtë që pret të shikojë largimin e Sali Berishës dhe fitoren e së majtës shqiptare në zgjedhjet e 28 Qershorit"

Deklaratat e plota të Nanos, Metës dhe Koçit

Fatos Nano

"Siç kam bërë të ditur paraprakisht kam mirëpritur ftesën për këtë takim, prandaj jam këtu. Për shkaqe që lidhen në mënyrë organike dhe të njohura me gjithë karrierën time politike, angazhimi im në vite në spektrin e majtë dhe në krye të PS ka qenë dhe mbetet bashkërendimi i kontributeve, bashkimi i së majtës, reformimi dhe mbetja e saj konkurruese, për shkak të kontributeve të ndryshme, natyrisht në përgjigje të vullnetit që edhe sot është mesazhi më i fortë që vjen nga elektorati, të zgjedhësve për ta parë të majtën gjithmonë të bashkuar dhe në progres. Periudha e bashkëjetesës që ka karakterizuar edhe kontributet tona në pluralizëm, na sjell mesazhin e nevojës së pranimit të të ndryshmit dhe të bashkërendimit të kontributeve për një qëllim të përbashkët që del mbi çdo interes tjetër, rrjedhimisht nga një gabim i vogël. Interesi për të larguar rregjimin aktual, përmes votës së lirë me 28 Qershor, i cili u rikthye në drejtimin e vendit aksidentalisht për shkak të përçarjes 4 vjet më parë, më vjen mirë që më propozojnë kolegët që jo vetëm ndërmorën këtë iniciativë, por që vazhdojnë të jenë të vendosur dhe të hapur për të punuar për një front opozitar të së majtës progresiste të bashkuar ndaj regjimit të vjetër të Berishës. Unë besoj se nëse je politikan i përgjegjshëm, nuk mund t'i përgjigjesh iniciativave të tilla në mënyrë foshnjarake, nuk mund të neglizhohet një përpjekje që është në ADN-në e së majtës, në një kohë kur edhe moda politike e kohës të çon në referenca Obama-Hillari Klinton, por megjithatë Obama dhe Hillari Klinton punojnë së bashku, ndërsa mungesat në këtë tryezë mesa duket lidhen me një histori të qartë dhe të strukturuar që mban të përçarë të majtën. Më në fund desha të theksoj në mënyrë të veçantë se nuk i kam ndërprerë takimet me socialistët dhe mesazhi shqetësues që vjen nga të katër anët e territorit të Shqipërisë është pikërisht mbështetja dhe çuarja përpara e kësaj lloj fryme dhe bashkëpunimi midis liderëve të së majtës. Unë jam këtu edhe në emër të socialistëve dhe shpresoj se liderët e radhës do kuptojnë përpara dhe pas 28 Qershorit, nuk mund të ndërtohet një karrierë me përçarje, nuk mund të ndërtohet asnjë e mirë e vendit në gjendjen e foshnjërisë të sotme politike".

Ilir Meta

"Dua të konfirmoj edhe një herë tjetër vullnetin tim dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim për të bashkëpunuar, në radhë të parë për mbrojtjen e standardeve të zgjedhjeve në 28 Qershor, pasi këto standarde janë seriozisht të rrezikuara nga Qeveria aktuale dhe Kryeministri në largim z.Berisha dhe së dyti për të krijuar një frymë sa më optimiste, përmes një koordinimi të të gjithë faktorëve të majtë për fitoren sa më bindëse dhe të sigurt të opozitës në tërësi dhe të majtës progresiste në zgjedhjet e 28 Qershorit. Kjo nuk është iniciativa e parë, iniciativa të tilla janë bërë edhe më parë nga ana jonë. Kjo është një ftesë e cila mbetet hapur dhe shpresojmë që të gjithë të reflektojë dhe të kuptojnë se e majta e ka patur forcën e saj tek integrimi dhe jo tek përjashtimi. Së dyti bashkëpunimi dhe koordinimi për mbrojtjen e standardeve të zgjedhjeve të 28 Qershorit është mëse i domosdoshëm dhe në këtë drejtim unë bëj apel gjithë strukturave të LSI dhe të PS dhe gjithë forcave të tjera opozitare të koordinojnë në bazë, të koordinojnë në komisionet e qendrave të votimit, të qendrave të numërimit, që të mbrohen në mënyrë sa më efikase standardet e zgjedhjeve të 28 Qershorit".

Petro Koçi

"Partia Socialiste e Vërtetë '91 dhe unë si Kryetari i saj e kam mirëpritur këtë iniciativë, e cila tenton për bashkimin e përpjekjeve të gjitha forcave të së majtës, për të realizuar në radhë të parë një proces me standarde ndërkombëtare për zgjedhjet në vijim dhe një përbashkim i të gjitha përpjekjeve për të realizuar një rezultat fitues në këto zgjedhje për të majtën. Zgjedhjet janë në rrezik dhe përballë këtij rreziku unë mendoj se çdo faktor i përgjegjshëm duhet të reagojë në frymën e bashkëpunimit dhe me frymën e dialogut. PSV' 91 ka lëshuar edhe më parë thirrje për mirëkuptim paraelektoral mes të gjithë faktorëve politikë socialistë dhe mendoj se ky takim i sotëm është një fillim i mbarë jo vetëm për të rritur optimizmin mes gjithë socialistëve dhe progresistëve për rezultatin zgjedhor, jo vetëm për të rritur pjesëmarrjen pa mungesa të të gjithë socialistëve të PS, LSI dhe PSV'91, por edhe për të hedhur bazat e mirëkuptimit për bashkëqeverisjen e nesërme 4- vjeçare. Mendoj se kjo tryezë mbetet e hapur dhe unë bëj thirrje për reflektim të gjithë faktorëve tek e majta, është koha për të ndërprerë edhe diversionin dhe për të kapërcyer historitë e përçarjes të së majtës. Mendoj se objektivi i vendit për një qeverisje ndryshe dhe objektivi i gjithë socialistëve, nxjerrja e Sali Berishës në mënyrë përfundimtare në pension kërkon patjetër jo vetëm një reagim të përgjegjshëm, por edhe aktiv në ndërprerjen e mesazheve përçarëse dhe përjashtuese dhe në ndërtimin e një fushate përbashkuese, të një fushate që nxit optimizmin e fitores së socialistëve ndaj Sali Berishës".

e.l/NOA

KOMENTE