English

Vrasja e kambistit, ende pa autorë, bum telefonatash në polici pas publikimit të shpërblimit

Tiranë, 22 qershor NOA - Tentuan t'i vidhnin 8 milionë lekë të vjetra kambistit, por dy adoleshentët jo vetëm që nuk mundën të merrnin paratë, por ekzekutuan kambistin duke bërë që të krijojnë sërish ankth te punonjësit e këmbimit të parave ndërsa vunë policinë e Tiranës në lëvizje.

Përpos kësaj janë vënë edhe 20 mijë euro në dispozicion për personin që zbulon identitetin e dy adoleshentëve që ekzekutuan një ditë më parë kambistin 40-vjeçar Astrit Cubaj në hyrje të pallatit të tij pranë "Komunës së Parisit" në Tiranë.

Ndërkohë që rreth 24 orë pas krimit, policia ende nuk ka mundur të identifikojë autorët e vrasjes së kambisit, ndërsa ka shoqëruar disa persona.

Burime nga policia thanë për agjencinë e lajmeve NOA se janë shoqëruar disa persona dëshmitarë si dhe autorë të dyshuar të ngjarjes.

Por pasi janë marrë në pyetje ata janë lënë të lirë për mungesë provash.

Veç detajeve të mbledhura nga dëshmitarët dhe sigurimin e provave të administruara në vendngjarje policia kërkon të "kompletohet" më të dhëna për autorët edhe nga komuniteti duke vënë në dispozicion 20 mijë euro për personin që ndihmon në identifikimin dhe kapjen e autorëve të krimit.

Sipas policisë fill pas publikimit të shumës së parave për "kokat" e autorëve, ka pasur një bum telefonatash në polici, por asnjë prej tyre nuk ka çuar policinë para autorëve.

Burime jo kofidenciale thanë për agjencinë e lajmeve NOA se personat që rastësisht u kthyen në dëshmitarë të krimit ndaj kampistit u morën në pyetje dhe veç të dhënave fizike dhe mekanizmit të ekzekutimit ata nuk kanë mundur të ndihmojnë më shumë policinë e cila ende nuk ka një identikit të qartë për dy adoleshentët.

Megjithatë burimet shtuan se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

k.k/NOA

KOMENTE