Fier, 23 qershor, NOA - Kryeministri Sali Berisha gjatë një takimi elektoral në qytetin e Fierit ka deklaruar se në 4 vitet e ardhshme, në vend do të investohen dhjetëra miliardë euro si dhe do të punësohen 160 mijë qytetarë.
Lidhur me prioritetet e mandatit të dytë për qarkun e Fierit dhe mbarë Shqipërinë, Kryeministri Berisha tha se gjatë këtij mandati në këtë rreth janë investuar mbi 70 miliardë lekë në rrugët kombëtare dhe rurale, në shkolla dhe kopshte, për kanalizimet dhe kullimin e tokave, në rrjetin energjetik, etj. "Unë jam këtu për t'u zotuar se brenda vitit 2010 në të gjitha familjet e këtij rrethi do ketë ujë 24 orë. Ky qytet do të ketë parqet e tij industriale, ku do të punësohen dhjetëra mijëra qytetarë", tha kreu i qeverisë. Duke shtuar ndër të tjera se puna dhe punësimi do të jenë kryefjala e projektit demokrat për katër vitet e ardhshme.
"Fieri i 4 viteve që vijnë, do të jetë shumë herë më i zhvilluar se sot dhe do të ketë universitetin e tij. Ky është qyteti i industrisë së fuqishme të naftës, e cila çdo ditë po zgjerohet, por unë ju siguroj se Gjanica do të bëhet si Valbona dhe nuk do të lejojmë asnjë mbetje nafte të derdhet në lumin tuaj", u shpreh kryeministri ndër të tjera Berisha.
n.e/NOA