Gjenevë, 23 qershor, NOA - Mediatori i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Metju Nimiç është takuar me negociatorin maqedonas, Zoran Jolevski dhe atë grek, Adamantis Vasilakis në Gjenevë.
Në raundin e parë të bisedimeve me përfaqësuesit e dy vendeve, ndërjmetësi i OKB-së, nuk ka parashtruar propozim të ri për emrin. Në këtë takim janë identifikuar sferat të cilat deri tani e kanë ngadalësuar procesin i cili duhej të sillte zgjidhje për kontestin. "Ka gatishmëri nga të dy anët, që të negocohet, por, se nuk ka zhvillim real, pasi siç thotë, të dyja palët kanë ngulur këmbë thellë në pozitat e tyre", theksoi Nimiç. Sipas tij, ky është moment i mirë që periudha e cila na pret të shfrytëzohet për shtyrjen e procesit, duke e pasur parasysh nevojën për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar diplomatik, por dhe nevojën për stabilizimin e rajonit. Mediatori Metju Nimiç ka paralajmëruar se më 6 korrik vjen në Shkup, ndërsa dy ditë më vonë edhe në Athinë. Në ato bisedime duhet të bisedohet për emrin, vëllimin eventual për shfrytëzimin e tij dhe për mekanizmat me të cilat zgjidhja eventuale dhe formalisht do ta mbyll kontestin në OKB.
NOA-INA