English

Ekskluzive NOA - Tmerr në avionin e linjës Tiranë-Xhenova, rrëfimet tronditëse të të mbijetuarit

Tiranë, 23 qershor NOA - Tmerr kanë përjetuar 74 pasagjerët e fluturimit të linjës Tiranë Xhenova, kur avioni i kompanisë "Belle Air" humbi kontrollin e motorëve dhe ra pikiatë (pingul) në malet e Kroacisë, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë dhe rrëfehet nga të mbijetuarit e saj.

Sergei (Xhino) Palu, një biznesmen 35-vjeçar nga Tirana i cili jeton në Itali, tregon me detaje për agjencinë e lajmeve NOA, minutat e tmerrit në avionin LZ 101 të "Belle Air", fluturimi Tiranë-Xhenova, ora 18.00 e datës 22.06.2009..

Sergei sqaron se ai së bashku me 73 pasagjerë të tjerë, mes të cilëve shumë gra dhe fëmijë, ishin drejtuar dje në orën 18.00 për në Itali, nga aeroporti ndërkombëtar i Rinasit, "Nënë Tereza", me destinacion të drejtpërdrejtë, qytetin e Xhenovas. Ai sqaron se "si zakonisht, avioni u nis me vonesë dhe pikërisht në 18.45".

"Ne kishim plot 40 minuta që gjendeshim në fluturim, ndodheshim pranë maleve ndërmjet Malit të Zi dhe Kroacisë, kur befas ndjemë se motorët e avionit ranë në qetësi", - tregon ende nën panik nga ngjarja e disa orëve më parë, i riu dëshmitar në ngjarje.

"Duke qenë se ulësja ime ishte pikërisht pranë motorëve, e ndjeva lehtësisht se motorët nuk po punonin më, por më e rënda e gjithë kësaj, ishte se në çast, avioni ra në pikiatë".

Sergei, detajon se rënia pingule, vazhdoi për të paktën katër minuta. Referuar të dhënave që ofrojnë pilotët në Rinas, kjo përkthehet me rënie pingule prej katër mijë metrash, ose një mijë metra në minutë.

"Në ato çaste, çdo gjë doli jashtë kontrollit. Maskat dolën papritur dhe që të gjithë njerëzit që gjendeshim në avion, u përpoqëm të marrim frymë përmes tyre. Por kjo ishte e pamundur pasi maskat thjeshtë nuk kishin oksigjen dhe në ato çaste që na dukeshin të pambarimta, ne nuk arrinim të mbusheshim me frymë dhe presioni në mushkëri që ne po përballonim ishte shumë i lartë".

Sergei tregon edhe situatën që përjetuan pasagjerët e tjerë.

"Unë gjendesha në sediljen pranë motorëve të krahut të djathtë dhe pas meje kisha një grua me dy fëmijë të vegjël të cilët klithnin me të madhe. E shkreta, ishte dhe ajo në tmerr dhe nuk arrinte dot të qetësonte jo më fëmijët por as veten e saj".

Sergei rrëfen se kjo situatë, që zgjati afro katër minuta, nisi të përmirësohet kur piloti bullgar i avionit, me shumë mundim, u përpoq të rivërë në punë motorët.

"Në një moment ndjeva sërish zhurmën e motorëve që duket se u rikthyen në punë. Avioni nisi të ngrihet duke iu larguar maleve mes Malit të Zi dhe Kroacisë", tregon për agjencinë e lajmeve NOA, Sergei Palu, një ndër 74 dëshmitarët e mbijetuar të avionit të linjës Tiranë-Xhenova.

Ajo që i ka bërë sërish përshtypje të mbijetuarit, është mënyra e kthimit në Tiranë dhe tmerri që vazhdonte për 40 minutat e mëvonshme.

"Piloti, që unë besoj shumë se na ka mbajtur në jetë në sajë të aftësive të tij për të mbajtur avionin nën kontroll edhe pse e humbi për katër minuta, nisi kthimin për në Tiranë. Në fakt unë pyes pse ai nuk e uli avionin në Maqedoni apo Malin e Zi që sigurisht ishin më afër, por mendoj se ka marrë orientime nga qendra e tij", shton Sergei.

"Ndërsa u arrit të bëhej kthimi, gjatë të 40 minutave udhëtim ishin sërish nën tmerr. Avioni kishte ulje ngritje shumë të shpeshta që na shkaktuan gjendje të rënduar fizike", - rrëfem me detaje i mbijetuari.

"Unë pashë qartazi, se piloti e mbante shumë ulët avionin gjatë kthimit, vetëm në lartësinë, besoj të një pallati 15 katësh dhe gjatë tërë kohës fluturoi mbi det deri sa iu afruam Rinasit, kurse stjuardesat dhe piloti, herë pas here na bënin thirrje që të ruanim qetësinë duke u përpjekur të na sigurojnë se nuk ishim më në rrezik për jetën", - vijon rrëfimi i Sergeit për agjencinë e lajmeve NOA.

Pasi avioni arriti të zbriste në tokë, një makinë ambulance u afrua para portës hyrëse dhe një stjuardesë bëri thirrjen: "Nëse dikush nga ju ka nevojë për ndihmë mjekësore të afrohet".

Sergei, biznesmen prej shumë vitesh në tregun e automjeteve, tregon në fund se është i pakënaqur edhe me mënyrën si u trajtuan në aeroport.

"Ne bëmë një fluturim që nuk na çoi kurrë në destinacionin tonë dhe në mënyrë absurde, iu nënshtruam për rreth tre orë, pritjes së kontrollit të bagazheve tona, të cilat thjeshtë qëndruan në ajër gjatë gjithë kohës", thekson Sergei.

Ndërsa pohon një tjetër fakt: "Ajo që më bëri përshtypje ishte fakti se asnjë person nuk na u ofrua për të na bërë një kontroll të detyruar sikundër ndodh në të gjitha rastet në pjesën tjetër të botës, as një kontroll të tensionit dhe asnjë ndihmë psikologjike, aq shumë të nevojshme në të tilla raste".

Edhe mbyllja e kësaj traume psikologjike, nuk ishte aspak e këndshme: "Ne u detyruam që për orë të tëra të kërkonim të drejtën tonë, më së paku, të na jepnin mbrapsht vleftën e biletës së udhëtimit që nuk na e ofruan, pa llogaritur që na prishën axhendën tonë. U desh një këmbëngulje e të gjithë pasagjerëve, shqiptarë, italianë dhe kroatë, mes tyre, disa gra dhe fëmijë, që më në fund, një përfaqësues i "Belle Air të lajmëronte se mund të na rimbursohej bileta".

e.l/NOA

KOMENTE