English

G99, Veliaj në Vlorë: Pas 28 qershorit mund të kemi një parlament të ri

Vlorë, 23 qershor NOA - Kreu i G99, Erion Veliaj zhvilloi sot një tur takimesh në qytetin e Vlorës, bashkë me kandidatin e G99 në këtë qark, Genc Kojdheli.

Gjatë takimit të zhvilluar në Pallatin e Kulturës, Veliaj tha: "Unë kam një ëndërr, ëndrra ime është që pas 28 qershorit të mund të kemi një parlament të ri dhe një qeveri të re, qe të punojë për mbi 3 milion shqiptarë".

"Lajmi i mirë, është se kjo nuk do të mbetet thjesht një ëndërr, por do të jetë realiteti ynë i përbashkët në 29 qershor" shtoi më tej Veliaj.

Ndërsa kandidati për deputet në Qarkun e Vlorës Genc Kojdheli shprehu besimin se të rinjtë, si ata të G99 të cilët treguan se mund të organizohen edhe pse skeptikët e cinikët nuk e besonin këtë gjë, do të jenë fitimtarë në këto zgjedhje dhe se për herë të parë ata do të mund të marrin në duar fatet e tyre.

Veliaj vizitoi edhe një ndërmarrje fasone ku u takua me punëtorët dhe drejtuesit e asaj ndërmarrje. Ata u shprehën se prej muajsh kërkesat për punë janë ulur ndjeshëm dhe se kërkojnë që të merren sa më parë masa në mënyrë që ky biznes mos falimentojë.

Gjatë qëndrimit në Vlorë Veliaj u takua dhe me një grup intelektualësh dhe shkrimtarë të këtij qyteti, të cilët i shprehën mbështetjen e plotë për zgjedhjet e 28 qershorit.

k.k/NOA

KOMENTE