Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 23 qershor NOA - Vitet elektorale konsiderohen nga ekspertet e ekonomisë si më të përshtatshmet për të stimuluar pastrimin e parave, pasi tregu politik është në informalitet të plotë.
Partitë politike nuk bëjnë transparente asnjë burim se nga i kanë marrë paratë e shumta që shpenzohen në fushatë.
Për këtë arsye, ekspertët e financave e vlerësojnë 2009-ën si një vit me risk për ekonominë e vendit, pasi në pikëpyetje vihet edhe mbledhja e parave publike.
Profesori i Ekonomisë Artan Gjergji është i mendimit se në vitet zgjedhore ka premisa për të stimuluar këtë fenomen.
Sipas tij edhe pse nuk ka fakte rreziku është prezent pasi financimet e partive mbeten të errëta çka të lind të drejtën për të menduar se burimi i tyre mund të vijë nga aktivitete ilegale.
Pika më e dobët mbeten donacionet e bizneseve çka përbëjnë bazën për të deformuar tregun politik. Partitë të cilat pjesë të programit kanë shmangien e informalitetit funksionojnë me bilance të dyfishta.
"Unë jam i mendimit se duhen gjetur mekanizma që fushatat zgjedhore të mos keqpërdoren, pse jo edhe për pastrim parash", - shprehet ish kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume.
Sipas tij, ligjet në fuqi në këtë drejtim kanë nevojë të forcohen, pasi pohon faktin se partitë politike zor se mund të ndërgjegjësohen.Â
Nga pikëpamja ekonomike, pastrimi i parave do të thotë krijimi i një ekonomie paralele infomale e cila në thelb stimulon korrupsionin dhe mitmarrjen nëpërmjet ryshfetit dhe në këtë mënyrë dobëson sistemin e tatim-taksave.
r.l/NOA