Vau i Dejës, 23 qershor NOA - "Fitore kundër politikave të shantazhit dhe presionit që duan të mbajnë peng Shkodrën e Shqipërinë" kështu ka deklaruar në Vaun e dejës, kreu i Demokristianëve, Nard Ndoka.
"Këtë muaj fushate, por edhe më parë është ushtruar një presion dhe trysni e pashembullt nga segmente të shtetit të cilat kulmuan me vrasjen në mënyrë terroriste të një prej drejtuesve më të spikatur lokal të PDK, Aleks Keka.
"Politikanë dritëshkurtër, të cilët i kanë sjellë dëme kolosale vendit dhe imazhit të tij në arenën ndërkombëtare kanë ndërmarrë një fushatë agresive plot fyerje, shpifje, mashtrime, presioni e terrori ndaj PDK, me qëllim gjunjëzimin e alternativës demokristiane" tha Ndoka.
Sipas tij, PDK dhe drejtuesit e saj nuk do të mposhten, të tremben, e të frikësohen nga aktet terroriste që duart kriminale po organizojnë kundër kësaj partie.
"Si ministër arrita ta kompletoj zonën me disa qendra shëndetësore, kërkova dhe mora iniciativën për ngritjen e një spitali për zonën, por pas largimit tim nga qeveria ky projekt u bllokua vetëm për xhelozi nga politikanë mjeranë që njohin vetëm gjuhen e urrejtjes ndaj kundërshtarëve politikë dhe të hakmarrjes primitive",- shtuar më tej Ndoka .
k.k/NOA