Kurbin, 23 qershor NOA - Kreu i Partisë Socialiste ka qenë sot në Kurbin ku ka premtur se do ta bëjë këtë qytet si Tirana.
"Më 28 qershor nuk është dita për të menduar për flamujt e partive, nuk është dita për të menduar për ndasitë mes njëri-tjetrit, nuk është dita për të menduar se kush është demokrati dhe kush është socialisti. Këtu në Laç, në Kurbin e në fshat, ku njëlloj shihet se si socialistët, si demokratët vuajnë nga varfëria, vuajnë nga korrupsioni, vuajnë nga mungesa e librave të fëmijëve, vuajnë nga mungesa e ndihmës ekonomike,
është dita për të menduar si të bëhemi bashkë dhe ta çajmë rrethimin e politikës së vjetër dhe për të shkuar drejt një Shqipërie evropiane" tha Rama.
Gjatë fjalës së tij ai theksoi se më 28 qershor nuk do të humbasin qytetarët e thjeshtë dhe të ndershëm demokratë, por do të humbasin një grusht pushtetarësh të korruptuar, që kanë uzurpuar ëndrrat dhe shpresat e demokratëve dhe të socialistëve.
"Është koha të çlirohemi nga paragjykimet, është koha t'i kapërcejmë hendeqet që ka hapur kjo politikë e vjetër mes nesh. Është koha ta shohim njëri-tjetrin, socialistë dhe demokratë, si bashkëqytetarë, si njerëz që jetojnë nën të njëjtin qiell, në të njëjtën tokë dhe që kanë vetëm një flamur, flamurin e Shqipërisë, që duhet ta ngremë lart e më lartë, për ta çuar Shqipërinë në Evropë" deklaroi më tej Rama. Â
k.k/NOA