English

Sot në Vlorë, presidenti Topi mbledh Sejdiun, Ivanov e Vujanoviç

Vlorë, 23 qershor, NOA - Presidentët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, fqinjë të Shqipërisë, do të takohen sot dhe nesër së bashku në qytetin e Vlorës për një takim mes tyre, i cili është organizuar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi.

Sipas të dhënave zyrtare nga takimi për agjencinë e Lajmeve NOA, me ftesë të kreut të shtetit shqiptar, presidentët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, fqinjë të Shqipërisë, ai i Kosovës, Fatmir Sejdiu; i Malit të Zi, Filip Vujanoviç dhe presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov do të takohen në qytetin e Vlorës në një takim të përbashkët.

Bëhet e ditur se gjatë këtij takimi, të katër presidentët do të bashkëbisedojnë për marrëdhëniet dypalëshe, për bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën e zhvillimit të tij në kuadër të vizionit të përbashkët euroatlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në përfundim të takimit bëhet e ditur se do të ketë edhe një konferencë e përbashkët shtypi.

n.e/NOA

KOMENTE