English

Ambasadori i SHBA: Votoni pa frikë, shteti të mos manipulojë më zgjedhjet

Tiranë, 24 qershor NOA - Dy grupimet shqiptare, KRIIK dhe ECA, do të ndërmarrin numërimin e parë paralel të votës të bërë ndonjëherë në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, me financimin amerikan nga USAID.

Për të promovuar këtë projekt, u zhvillua sot, ceremonia e akreditimit të monitoruesve të numërimit paralel të votës, ku merrnin pjesë kreu i KQZ, Albert Ristani, ish-kreu i KQZ, Ilirian Celibashi, ambasadori i OSBE, Robert Bosh dhe ai amerikan, Xhon Uidhers.

Duke folur në ceremoni, z.Uidhers, i kërkoi të gjithë votuesve shqiptarë që "të ushtrojnë të drejtën për të votuar" dhe shtoi: "U them atyre: mos kini frikë të votoni!"

Këtu, Uidhers ka deklaruar se "e thënë sinqerisht, të gjithë e dimë, që zgjedhjet në të kaluarën në Shqipëri nuk i kanë përmbushur standardet ndërkombëtare".

Kurse shtoi: "Si anëtare e re e NATOS, Shqipëria në këto zgjedhje duhet t'i plotësojë këto standarde", duke kërkuar qartazi se "praktikat manipuluese të së shkuarës nuk duhet të përsëriten më".

Uidhers ka lëshuar një mesazh të qartë ndaj qytetarëve: "Nëse dikush ju kërkon që të blejë votën tuaj, nëse dikush ju bën presion që të votoni në një mënyrë të caktuar, nëse dikush përpiqet t'ju frikësojë duke ju kërcënuar me vendin e punës apo mirëqenien e familjes tuaj, nëse dikush ju kërkon që ju të fotografoni fletën e votimit që ai ta di se si ju votuat, nëse dikush përpiqet që të ndryshojë një pasaportë apo të shpërndajë karta të falsifikuara që të votojë shumë herë, nëse policia apo zyrtar tjetër shfaq anshmëri në çfarëdolloj mënyrë, nëse dikush përpiqet që të verë dorë mbi kutitë e votimit apo të prekë procesin e numërimit, ju lutem dijeni që të gjitha këto veprime janë të paligjshme dhe raportojini ato tek vëzhguesit".

Në këtë pikë, Uidhers theksoi se "ju kërkojmë që të dini se komuniteti ndërkombëtar, përfshirë edhe SHBA, do të jetë duke ju vëzhguar".

***

Ambasadori, më tej vlerësoi se akreditimi i këtyre grupeve si dhe i vëzhguesve vendorë është një tregues pozitiv që tregon jo vetëm përkushtimin e këtyre grupeve ndaj parimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme por që tregon dhe gatishmërinë që ekziston ndaj autoritetit zgjedhor në Shqipëri për të lejuar një inspektim në çdo hap të këtij proçesi.

Kurse shtoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve meriton të përgëzohet për një inkurajim të një niveli të madh të transparencën në këto zgjedhje dhe për përpjekjet që ka bërë për ta bërë vendin gati për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Këtu, z.Uidhers tha se nxit KQZ që të vazhdojë të përmbushë detyrat e tij në mënyrë profesionale e të paanshme.

Ndërsa duke pranuar se numërimi paralel është interpretuar shpesh si abuziv, kërkoi të qartësohet çdo keqkuptim.

Ai tha se numërimi paralel do të raportojë rezultatet së bashku me numërimin zyrtar që do të bëhet në çdo qendër numërimi dhe do t'i transmetojë ato të dhëna publikisht në kohë reale ndërsa rezultatet mbërrijnë përgjatë gjithë proçesit të numërimit të votave. Por numërimi paralel nuk është numërim zyrtar i votave dhe as nuk ka për qëllim që të zëvendësojë numërimin zyrtar të votave.

Uidhers vuri në dukje se vetëm KQZ ka autoritetin ligjor për të shpallur fituesin e zgjedhjeve: "Numërimi paralel ka për qëllim që të mbajë numërimin e votave nën vëzhgim të afërt si dhe të kontrollojë saktësinë e tij me qëllim që të përforcojë besimin e publikut në rezultatet e zgjedhjeve", - duke theksuar se "shenja dalluese e kësaj sipërmarrjeje e përmbledh shumë e mirë këtë ide".

Ambasadori amerikan pranoi se numërimi paralel mbështetet financiarisht nga USAID por theksoi se numërimi paralel nuk është një numërim amerikan:

"Ai është një llogaritje e pavarur dhe jo zyrtare e votave të hedhura nga qytetarët shqiptarë", - tha Uidhers, duke kërkuar që "rezultatet nuk duhet të interpretohen si rezultate amerikane që paraqesin pikëpamjen amerikane pasi një gjë e tillë nuk ekziston".

e.l/NOA

KOMENTE