Tiranë, 24 qershor NOA - Në mbledhjen e tij të sotme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim Raportin Mujor të Politikës Monetare dhe vendosi që të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.75 për qind.
Burime zyrtare nga BSH, i thanë sot pasdite agjencisë së lajmeve NOA, se ky vendim erdhi pasi Këshilli Mbikëqyrës u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, si dhe në përfundim të diskutimeve mbi ecurinë e pritshme të tyre në të ardhmen.
"Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mbështetur në tablonë aktuale të zhvillimeve të ekonomisë reale, në inflacion si dhe në zhvillimet në tregjet financiare mori vendimin "Për ruajtjen e pandryshuar në nivelin 5.75 për qind, të normës së interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjella të riblerjes me afat maturimi një javor"", - ishte argumenti zyrtar
Duke sqaruar këtë vendim, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë evidentoi se analiza e një sërë treguesish ekonomikë dhe financiarë sugjeron për një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend gjatë vitit 2009, në përgjigje të ndikimeve të krizës ekonomike botërore.
Këshilli Mbikëqyrës i BSH, gjykon se ky vendim do të shërbejë për të ruajtur qëndrueshmërinë e situatës makroekonomike në vend.
Sipas tij, vendimi siguron kontrollin afatgjatë të presioneve inflacioniste brenda intervalit objektiv të Bankës së Shqipërisë.
Gjithashtu, ky qëndrim, për BSH, mbështet konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit të sistemit financiar në vend, duke reduktuar luhatshmërinë e treguesve të bilancit të pagesave dhe duke krijuar kushte për një përshtatje më të kontrolluar të agjentëve ekonomikë me kushtet e reja monetare e financiare.
a.k/NOA
Â
Â