English

I plotë - Kadare merr Çmimin spanjoll, "Princi i Asturias për Letërsinë"

Tiranë, 24 qershor NOA Update - Shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare është nderuar me Çmimin e madh spanjoll, "Princi i Asturias për Letërsinë", konfirmoi sot për agjencinë e lajmeve NOA, ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobbio.

Kadare, bëhet kështu shkrimtari i parë shqiptar që e fiton çmimin më të rëndësishëm për letërsinë në Mbretërinë e Spanjës.

Ndërkohë ambasada dha detaje për çmimin e akorduar, duke evidentuar faktin se mjeshtri i letrave shqipe, Ismail Kadare, u nderua me Çmimin e madh spanjoll, "Princi i Asturias për Letërsinë", mes kandidaturave të 33 emrave të njohur të penës botërore, si shkrimtari çek, Milan Kundera, apo ai japonez Haruki Murakami, si dhe ai nga Uruguai Eduardo Galeano.

Kandidatura të forta për të fituar trofeun që "rrëmbeu" Kadare, ishin shkrimtarja hungareze Agota Kristof dhe ai holandez Cees Noteboom.

Ndër kandidatët spikaste edhe romancieri italian Antonio Tabucchi, shkrimtarja kanadeze Alice Munro dhe ajo meksikane Elena Poniatowska.

***

Ndërkohë, kryeministri Sali Berisha i ka dërguar sot një urim kadaresë, në emër të qeverisë shqiptare dhe emrin e tij.

"Unë vlerësoj akordimin e këtij çmimi të madh botëror si një ngjarje shumë të rëndësishme", - thotë Berisha.

Ai e konsideron këtë çmim si një nderim të madh për krijimtarinë gjeniale të Ismail Kadaresë, por dhe për mbarë kombin tonë, letrat dhe kulturën e tij.

a.k/NOA - Lexoni informacionin e plotë të çmimit

KOMENTE