English

Investim nga Australia për hapjen e një miniere të re kromi në Shqipëri

Tiranë, 24 qershor NOA - Një kompani australiane me qendër në Australi, Jab Resources Limited, ka aplikuar pranë autoriteteve shqiptare, për hapjen e një miniere të re kromi në zonën e Kalimashit.

Kompania tha sot përmes një deklarate zyrtare, se pritet të ofrojë standarde të reja sigurie dhe mjedisore në Shqipëri me praktika pune të standardeve ndërkombëtare.

Aplikimi për marrjen e kësaj leje u krye këto ditë, 18 muaj pas studimeve paraprake, përfshi punimet e zbulimit dhe studimet e fizibilitetit me një kosto totale prej 3 milionë dollarësh.

Studimet e kryera nën supervizimin e ekspertëve australianë vërtetuan se Jab Resources paraqet një përqasje të re në shfrytëzimin e rezervave të xeherorëve të kromit të cilat priten të sjellin një përdorim sa me optimal të kromiteve në Shqipëri, se sa në të kaluarën. JAB do të prezantojë teknika të mekanizmit të lartë të nxjerrjes së kromit të cilat do të lejojnë shfrytëzimin e xeherorëve me përmbajtje deri në 2% kromite deri tani të lëna pas dore si nga procesi i shfrytëzimit ashtu edhe nga kërkimet e bëra në të kaluarën.

Nga studimet e kryera deri tani JAB ka përvijuar rezervat që do të shfrytëzohen në përputhje me standardet ndërkombëtare. Rezervat minerale të përcaktuara nga JAB janë të parat në Shqipëri që plotësojnë kushtet e standardit JORC, një sistem ndërkombëtar i klasifikimit të rezervave minerare, i përdorur në vendet e Azisë dhe Australi.

Shfrytëzimi i rezervave minerale me përmbajtje të ulët lejojnë që të nxirret më shumë krom nga vendburimet minerale.

Teknikat unike të kompanisë do të bëjnë të mundur nxjerrjen e kromit 5 deri 10 herë më shumë se sa ka qenë e mundur nga praktikat e mëparshme. Jab Resurces i ka kryer këto studime brenda lejes së zbulimit të akorduar në vitin 2008 nga Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, në një zonë prej rreth 30 km2 në zonën e Kalimashit.

Tani JAB është duke aplikuar për një leje shfrytëzimi, bazuar në Artikullin 43 të legjislacionit Shqiptar për minierat, sipas të cilit disponuesi i një leje zbulimi mund ta shndërrojë një pjesë të saj, në leje shfrytëzimi.

Drejtori Ekzekutiv i Jab Resources, Rob Murdoch gjatë vizitës së tij në Tiranë të premten e kaluar shprehu dëshirën që aplikimi i kompanisë të aprovohet në mënyrë që puna e deritanishme paraprake të kompletohej dhe të nisë hapjen e minierës sa më shpejt.

Më tej z.Murdoch shtoi se aksionerët e Jab Resources janë kompani të mëdha ndërkombëtare të specializuara në investime për burimet minerale. Këto kompani janë prezente jo vetëm në Australi por edhe në SHBA, Kanada, Singapor dhe Indi.

Ai deklaroi se është e zakonshme që kompani të tilla të mos investojnë direkt në projekte minerale por ti kryejnë punimet duke mbështetur kompani të vogla kërkimore të cilat drejtohen nga profesionistë të industrisë së minierave me eksperiencë ne nxjerrjen e mineraleve të caktuara.

Z. Murdoch shtoi se JAB ka një fokus të tillë edhe në Shqipëri. Punimet e kërkim zbulimit kryhen zakonisht nga vende si Kanadaja dhe Australia ku edhe ka akses të mjaftueshëm me ekspertë të kësaj industrie, njohje të eksplorimit të mineraleve të dobishme si edhe një treg ndërkombëtar që të mund t'i financojë këto zhvillime.

Më tej ai shtoi se kompanitë investitore kanë zgjedhur që Jab Resources të kryejë këto studime në Shqipëri, duke e konsideruar atë si një vend me potenciale të larta por që kërkon një përqasje moderne për zhvillimin e industrisë minerare në mënyrë që të arrijë edhe potencialin e saj maksimal.

Megjithatë, për të tërhequr fondet e nevojshme për punimet, lejet, zbulimin dhe shfrytëzimin e mineraleve në vendin pritës duhet që investitorët të ndjehen të sigurt dhe procesi të jetë në pajtim të plotë me standardet ndërkombëtare.

JAB e bëri aplikimin për lejen e shfrytëzimit tani në mënyrë që të garantonte një farë sigurie në të drejtën e titullit, ndërkohë që kompletohen punimet paraprake dhe aksionerët të kenë mundësi të financojnë për ndërtimin e një miniere të klasit botëror në Kalimash.

Menaxheri për Shqipërinë i Jab Resources, Resmi Kamberaj deklaroi se nga puna dhe studimet e thelluara të kryera deri tani nga ekspertët australianë, pritet që kompania të prodhojë fillimisht 100.000 tonë koncentrat kromi.

Kjo, konsiderohej e pamundur të realizohej më parë nga përmbajtja e ulët e xeheroreve, duke arrtiur kështu një shfrytëzim sa më racional të kromit në Shqipëri.

Ai shtoi se kompania do të ofroje produkte për çdo kompani ferrokromi shqiptare, ndërkohë që pjesa tjetër do të eksportohet nën kontrata afatgjata.

Shpresohet që JAB të ofrojë benefite të mëdha ekonomike dhe sociale për komunitetin e zonës dhe të sigurojë të ardhura në valutë të huaj për Shqipërinë.

a.k/NOA

KOMENTE