Shkup, 24 qershor, NOA - Euroambasadorit Ervan Fuere në Maqedoni pritet ti zgjatet mandati mbikqyrës edhe për një vit, njoftojnë burime nga Brukseli për gazetën "24 orë".
Kjo për shkak se situata e përgjithshme dhe ajo politike në Maqedoni nuk është e stabilizuar plotësisht.
"Janë shumë arsye se përse zgjatet mandati për në Maqedoni, por më kryesore është vëzhgimi i konsolidimit të procesit politik dhe plotësimi i Marrëveshjes së Ohrit, për shkak se ky dokument ka ngecur së realizuari në praktikë nga Qeveria aktuale në Shkup", ka theksuar për "24 orë", një zyrtar i lartë evropian.
BE aplikon dërgimin e ambasadorëve të saj në vendet ku janë të përfshirë në kriza të përgjithshme, dhe ndër vendet e tjera në rajonin e Ballkanit Perendimor ku ka ambasadorë të emëruar janë Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova, por misione të tilla ka pasur edhe në shtete në kontinente të tjera me qëllim të dhënies së kontributit për arritjen e paqes dhe stabilitetit.
Mandati i ambasadorit aktual evropian, Ervan Fuere do të skadojë në muajin shtator, me çrast edhe kur pritet që ai të jetë edhe për një vit në Maqedoni. Poashtu dy muaj më vonë, Fueres i skadon edhe mandati i shefit të delegacionit të Komisionit Evropian në Maqedoni.
Me këtë rast burime nga selia e BE-së në Bruksel nuk përjashtojnë mundësinë që në lojë të futet edhe ndonjë diplomatë i njohur europerëndimor, i cili edhe më parë ka pasur përvojë në krizat e fundit në Ballkanin Perëndimor.
Jozyrtarisht, delegacione të larta shtetërore të Maqedonisë në disa raste gjatë vizitave të fundit kishin kërkuar që të hiqet mbikqyrja e realizimit të Marrëveshjes së Ohrit, me pretendimet se ajo është realizuar. Por nga ana tjetër, një gjë e tillë ishte përjashtuar nga Brukseli.
Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ndër të parat parti politike ka theksuar se vendimi i tillë i BE-së do të jetë i mirëpritur, për shkak se sipas tyre, nuk shkon procesi sipas përcaktimeve të duhura.
"Po është e qartë se BE ka një vlerësim real për zhvillimet e përgjithshme që po ndodhin në Maqedoni, sidomos bllokimi i proceseve të integrimeve evroatlantike dhe anashkalimi total i Marrëveshjes së Ohrit", ka theksuar zëdhënësi i PDSH-së, Adriatik Imeri.
Ai ka sqaruar se qëndrimi i partisë së tyre konsiston me vlerësimet e BE-së se është e nevojshme prania e mëtejshme evropiane me një mision mbikqyrës.
"Qeveria aktuale po çon vendin drejt një izolimi të plotë. Shfaqja e nacionalizmit dhe elementeve të urretjes ndëretnike dhe ndërfetare e inicuar nga shteti dëshmon se gjërat nuk shkojnë në drejtimin e duhur, edhe përkundër sugjerimeve dhe kritikave të institucioneve relevante ndërkombëtare", theksoi zëdhënësi Adriatik Imeri.
Në partinë shqiptare në pushtet BDI nuk kanë komentuar këtë çështje dhe nuk kanë dashur të japin komente, duke theksuar se në të ardhmen do ta bëjnë të qartë vlerësimin e tyre.
Analisti dhe ligjëruesi në UEJL, Jeton Shasivari duke komentuar zgjatjen e mandatit të BE-së deklaroi se kjo është një sinjal i keq për Maqedoninë.
"Është fakt se ambasadori aktual Fuere ka patur përplasje me Qeverinë aktuale për disa çështje midis të cilave kërkesa e tij e vazhdueshme për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën si dhe kontributi i tij për vizat. Zgjatja është një sinjal nga Brukseli se po shënohen ngecje të dukshme në procesin e evrointegrimeve dhe në planin e reformave", deklaroi Shasivari.
Me vazhdimin e misionit të ambasadorit, do të shtyhet procesi i caktimit të datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, por diplomatët perendimor theksojnë se kjo çështje nuk ndërlidhet me heqjen e paralajmëruar të regjimit të vizave për qytetarët e Maqedonisë.
NOA-INA