English

Marrëveshje me Turqinë për ngritjen e qendrës së dializës pediatrike në QSUT

Tiranë, 24 qershor NOA - Ministria e Shëndetësisë dhe TIKA (Agjencia Kombëtare turke për Koordinim dhe Zhvillim) nënshkruan sot Protokollin e Bashkëpunimit për ngritjen e Qendrës së Dializës Pediatrike në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë.

Protokolli u nënshkrua nga Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, dhe në emër të qeverisë turke nga dr. Ali Ozgun OZturk, koordinator i projektit.

Godo tha gjatë nënshkrimit të protokollit se "njësia e dializës pranë spitalit të pediatrisë, si sektor nuk ka ekzistuar më parë".

Godo pohoi se "kjo ka qenë një ndër pikat e trishtueshme të shërbimit tonë, sepse kur kishim fëmijë që kishin nevojë për shërbimin e dializës mbeteshim në vështirësi, pasi për fëmijët e vegjël ky shërbim nuk ofrohej në qendrën e dializës", - duke shtuar se ndërkohë, kemi fëmijë që kanë nevojë për këtë shërbim". Sipas marrëveshjes, pala shqiptare ka vënë në dispozicion deri tani 8 milionë lekë për rikonstruksionin, përshtatjen pranë Spitalit të Pediatrisë, njësisë që do të shërbejë për dializën pediatrike.

Gjithashtu pala shqiptare do të mbulojë pagat e personelit dhe të gjithë materialet e konsumit mujor dhe të përditshëm që do të ketë nevojë në këtë qendër.

Ndërsa, pala turke me një investim prej 250 mijë euro do të vërë pajisjet e nevojshme në këtë qendër të dializës dhe do të sigurojë trajnimin e personelit të mesëm dhe të lartë, që do të punojnë në këtë qendër.

Pala shqiptare ka përfunduar tashmë rikonstruksionin dhe përshtatjen e ambienteve të qendrës dhe nga pala turke po prokurohet për pajisjet.

Ministrja Godo këtu tha se "shumë shpejt ndoshta brenda muajit të kemi fëmijën e parë që do të marrin këtë shërbim pranë shërbimit të dializës pediatrike, për të cilën ne po nënshkruajmë këtë protokoll bashkëpunimi".Â

Numri i fëmijëve që kërkojnë shërbimin e dializës ndryshon nga viti në vit. Ka raste kur mund të kemi 10 fëmijë, apo 15 fëmijë, por më e rëndësishme se numri, për Godon, është ngritja e këtij shërbimi.

Përfaqësuesi i palës turke, dr. Ozturk tha se "TIKA aktualisht po punon me dy projekte bashkëpunimi; ngritja e një qendre transfuzioni gjaku në Spitalin e Vlorës dhe i dyti, ngritja e qendrës së dializës për fëmijë në QSUT".

Për trajnim në Turqi për një periudhe dymujore, deri tani kanë shkuar 3 infermierë dhe 1 mjek, ndërsa do të nisen dhe 2 mjekë të tjerë, një nefropediatër dhe një kirurg për fëmijë. e.l/NOA

KOMENTE