English

Miratohet dëmshpërblimi për ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist

Tiranë, 24 qershor NOA - Me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave, vendosi miratimin e dëmshpërblimit financiar, për ish-të dënuarit politikë dhe për familjarët e të dënuarve me dënim kapital.

Burime zyrtare nga Këshilli i Ministrave, i thanë sot agjencisë së lajmeve NOA se vendimi u miratua në mbledhjen e qeverisë që u zhvillua mbrëmë nga ora 23.00 deri në fillim të ditës së sotme.

Masa e dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë dhe familjarët e të dënuarve, me dënim kapital, të bëhet me këste, sipas kritereve e kufijve, të përcaktuar në nenin 12, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, "Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist", të ndryshuar.

Shuma e llogaritur transferohet në një llogari speciale në Bankën e Shqipërisë. Pagesa e dëmshpërblimit për secilin përfitues bëhet nga Ministria e Financave, në llogaritë personale të këtyre përfituesve, të hapura në bankat e nivelit të dytë, të përzgjedhura, sipas nenit 33, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, të ndryshuar.

Sipas vendimit që hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në "Fletoren zyrtare", ngarkohen ministri i Drejtësisë dhe ministri i Financave për zbatimin e këtij vendimi.

e.l/NOA

KOMENTE